Presidenti amerikan, Donald Trump tha të martën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se ai personalisht i ka ndalur shtatë luftëra në botë, që prej kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë.
Departamenti amerikan i Shtetit, më pas, publikoi një fotografi në Facebook ku shkruan se “Presidenti Trump i përfundoi 7 LUFTËRA në vetëm 7 MUAJ”. Aty përmendet edhe një mes Kosovës dhe Serbisë.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë e shpërndau sot këtë postim.
“’PRESIDENTI I PAQES: 7 luftëra përfunduan në 7 muaj’ — President Donald J. Trump”, thuhet në përshkrimin e DASH.
Trump foli në OKB për një “epokë të artë” në SHBA ndërsa përsëriti pretendimin e tij të kontestuar për ndaljen e luftërave.
“Unë i përfundova shtatë luftëra, dhe në të gjitha rastet, ato ishin duke u përshkallëzuar, me mijëra njerëz të panumërt që po vriteshin. Këtu përfshihen Kamboxhia dhe Tajlanda, Kosova dhe Serbia, Kongo dhe Ruanda – një luftë e egër dhe e dhunshme që ishte – Pakistani dhe India, Izraeli dhe Irani, Egjipti dhe Etiopia, dhe Armenia dhe Azerbajxhani”, tha ai.