Alisa Velaj: Ankthi hermeneutik i një proze alegorizuese - Gazeta Express
string(55) "alisa-velaj-ankthi-hermeneutik-i-nje-proze-alegorizuese"

Alisa Velaj: Ankthi hermeneutik i një proze alegorizuese

Arte

Gazeta Express

06/09/2023 15:33

Rreth veprës “Erërat që trazojnë mjegullën” të Ervin Nezhës

Një nga kufijtë më të brishtë në letërsi mbetet ai mes reales dhe trillit. Në fund të fundit, në një mënyrë apo një tjetër, është njëzëri e pranuar se rrëfimi letrar dhe rrëfyesi (apo narratori) merr përsipër ta rrëfejë një ngjarje në letërsi, duke e trilluar atë artistikisht, sipas ligjësive letrare. Por, përtej trillimit letrar, që e merr një ndodhi jetësore dhe e rikrijon përmes artit të fjalës në një krijim ose trillim artistik, ekziston një tjetër nivel të kuptuari i konceptit trillim. Bëhet fjalë për të kthjelluar ç’është trill si element fantastik/magjik dhe ç’është realitet në kufijtë e narracionit, në gjininë e prozës. Sipas V. Propp,  fjala “përrallë” në shumicën e gjuhëve do të thotë një sinonim për fjalën “trillim”, “gënjeshtër” dhe karakterizohet nga themelimi i saj mbi shpikjen artistike, e cila është një iluzion i realitetit. Përcaktimi i Propp-it i ngërthen të dyja kuptimet. Pra, edhe trillimin letrar si gjendje e rrëfimit, edhe trillin si iluzion i realitetit, apo kufirin që ndan fantastiken nga realja në një vepër.

Lexo Edhe:

Në letërsi ka shumë tekste, për të cilat mbetemi pak të mëdyshur për t’i klasifikuar në lloje apo nënlloje letrare brenda gjinive letrare të përcaktuara qartazi nga klasifikimet tradicionale të teorisë së letërsisë. Kur mëdyshjen e krijon kufiri mes reales dhe fantastikes, gjykimi bëhet edhe më i vështirë. Në këtë kontekst, rast shumë specifik është përralltari danez Andersen, në krijimtarinë e të cilit, proza të tilla si “Mbreti lakuriq”, “Hija” etj., megjithëse shpesh etiketohen si përralla, në të vërtetë nuk janë përralla. Alegoria e këtyre rrëfimeve është shumë larg përrallës së mirëfilltë. Te tregimi-përrallë “Hija”, gjithë sekreti alegorik i tekstit qëndron në dy pika kyçe të tregimit. Së pari, kur dijetari i dëshpëruar i rrëfen Hijes: “Shkruaj për të vërtetën, të bukurën dhe të mirën, po asnjëri nuk ma var. Jam i dëshpëruar për këtë”. Drama zë fill pikërisht me lodhjen e dijetarit në rrugën e së vërtetës duke pranuar propozimin e Hijes për të bërë një udhëtim. Alegorikisht, e vërteta nis të mundet nga mashtrimi. Së dyti, në njohjen e Hijes me princeshën, e cila në çastet e njohjes me mbretin a ardhshëm, vuante nga sëmundja e të parit qartë, tej masës. Më pas princesha do të verbohet nga dashuria dhe e vërteta e rreme. Drama që qëndron pas këtij verbimi është shumëpërmasore. Hija (Mashtruesi) do të udhëheqë popullin dhe e vërteta do të jetë larg turmës së verbuar; simbolikisht e shprehur me vrasjen e dijetarit. Elementi fantastik i vënë kryekëput në funksion të alegorisë e bën “Hijen” të jetë më tepër tregim se përrallë.

Kritika e përdor termin alegori si interpretim arbitrar, ku diçka lexohet “si alegori” e diçkaje tjetër. Kjo mënyrë interpretimi e alegorisë, shpesh e quajtur alegorizuese, ku veprat joalegorike interpretohen sikur synohen të jenë alegori. Në letërsinë shqipe, rast i një vepre të tillë alegorizuese është romani “Erërat që trazojnë mjegullën” (Kronika të Naltinisë). Vetë Ervin Nezha nuk e ka marrë përsipër përcaktimin e llojit letrar të prozës së tij. (Termi “roman” i referohet vetëm klasifikimit të kryer në katalogimin e veprës). Por, nga ana tjetër, autori i veprës i quan “kronika” ndodhitë e romanit. A mund të jetë ky detaj një udhëzim për perceptimin e veprës si alegorizuese dhe jo si përallë? Kronikat në fund të fundit janë dëshmi objektive të ngjarjeve historike, ndaj dhe thelbi i tyre mëton të shkojë sa më pranë së vërtetës absolute që të jetë e mundur, edhe pse larghedhja kohore e ngjarjes shpesh është disashekullore. 

Një alegori ngjall ankth hermeneutik dhe jep udhëzime për lojën interpretuese. Duke u përfshirë në një lojë të tillë, lexuesi ndërton një strukturë koherente kuptimi, që më pas imagjinohet se ka qenë e fshehur paraprakisht dhe se ka qenë thjesht zbuluar nga lexuesi. Në leximin e parë, dallojmë qartazi se kemi të bëjmë me leximin ndryshe të legjendës së Gjergj Elez Alisë, ndësa zgjidhja e konfliktit të veprës vjen përmes “logjikës fantastike”. Leximet e tjera të veprës, përmes dekodifikimit të shenjuesve tekstorë, na zbulojnë pafundësi lojërash interpretuese. Gjithsesi ne do të ndalemi te alegoria që ngjall ankthin hermeneutik të tiranisë, pasi shenjuesit që shenjojnë këtë areal kuptimor janë të lidhur me njëri-tjetrin në një strukturë aq solide, sa zor se do të anashkaloheshin, edhe sikur veprës t’i bëhej një lexim/interpretim i ndryshëm nga ky që po paraqesim.

Pesha kryesore e alegorisë në vepër ngjizet shkallë-shkallë me anë të detajeve përshkruese të karakterit dhe pamjes së jashtme të dy personazheve kryesorë, Gjergjit dhe Naisinës, zërit autorial të rrëfimtarit të gjithëdijshëm që kamuflohet herë në zërat e personazheve dytësore e herë në aktin e rrëfimit dhe, së fundi, në epilogun në fund të kronikave. Le të ndalemi në fillim te detajet e përshkrimit të personazhit të Gjergj Elez Alisë. Autori na dëshmon që në hapje të rrëfimit se “ky njeri i çuditshëm quhej Gjergj Elez Alia dhe qe prijës fisnor i këtyre territoreve”. Pas çudisë si element dallues i karakterit të protagonistit, na jep të tjera të dhëna jo shumë të zakonta për territoret ku princi qeveris. Këto territore “qenë të izoluara nga pjesa tjetër e botës” dhe “në Naltininë ato që ndodhnin jashtë, pra në botën e madhe, nuk përbënin asnjë interes dhe nuk ndryshonin asgjë. Atje dukej sikur prej vitesh gjërat mbeteshin përherë njësoj: të zymta, të mjegullta dhe të heshtura”. Prejardhja e titullit princ është po kaq e çuditshme, për sa kohë nuk mbështetet në asnjë ligj politik apo kod zakonor të kohës. Narratori informon lexuesin se “këtë titull e pati sajuar vetë” dhe “ndaj thjesht qeveriste tokat e lëna nga babai, dhe mendonte se qe në të drejtën e Zotit t’i qeveriste”. Pra, princi i vetëshpallur jo vetëm jeton në një vend të mbyllur malor, çka e bën edhe më të tmerrshëm mënjanimin dhe të pamundur komunikimin me botën e madhe, por nuk njeh asnjë autoritet politik, veç politikave të egos së tij të sëmurë. Madje, dhe të drejtën e Zotit e percepton sipas mënyrës së tij, gjë që del hapur në fjalët e priftit Nikifor drejtuar të huajve: “Zoti ynë i plotësoi lutjet tona dhe ju dërgoi ju, që të na shpëtoni nga rrënimi”.

Figurat e tiranit dhe të së motrës, Nasinës, e cila më tepër se bashkëprotagoniste është alteregoja që flet e personazhit të pagojë të Gjergjit në pjesën dërrmuese të rrëfimit, ngjizen në përfytyrimin e lexuesit dhe përmes ndjesive të ngjallura te personazhet dytësorë. Kështu, ndërsa Gjergj Elez Alia perceptohet si “tirani me sy ujku” apo njeri “pa hije”,  Nasina ngjall ndjenja të tmerrshme, sepse “në sytë e saj kishte vetëm urrejtje dhe akull”. Ky zë i tjetrit në tekst për formësimin e tipareve të dy protagonistëve nuk është tjetër veç zërit të kamufluar autorial. Epilogu “Nëntë vite më vonë…” i vë vulën e pakundërshtueshme kuptimit të fshehur alegorik të të gjithë veprës dhe mbështet fuqishëm idenë e hedhur prej fillimit, se jo vetëm nuk kemi të bëjmë me një përrallë, por ky rrëfim mjeshtëror i Ervin Nezhës është alegori e shkëlqyer e tranzicionit të pambarimtë shqiptar në Shqipërinë londineze. Fjalët e personazhit pa emër, i pagëzuar në tekst si “i panjohuri që printe” janë mesazhi më kuptimplotë i gjithë lojës alegorizuese.

“Sepse Gjergj Elez Alia është gjithsecili prej tyre. Këtë ne s’e kemi kuptuar kurrë. Dhe diçka që është gjithçka njëherazi, është dhe asgjë.

…………………………………………………………………………………………………

Do t’i lëmë vetëm dhe do t’u japim pështypjen se i kemi harruar. Dhe ata do t’i marrë malli për ne. Dhe kur ne të mos vijmë, ata do të hidhërohen, do t’i harrojnë të gjitha, do të harrojnë edhe veten dhe kur t’i harrojnë të gjitha, do të harrojnë edhe atë, sepse ai thjesht nuk do t’u duhet më”.

Nezha vë gishtin mbi plagën e tiranisë politike dhe shpirtërore. E para nuk është asgjë para së dytës. Me vdekjen e tiranit duket sikur zhduket tirania politike, por trashëgohet e shumëfishuar tirania shpirtërore, duke i bërë edhe më të pamundura barrierat për të dalë nga kufijtë e vetes, nga skutat e egoizmit tiranik që na lë të vetmuar, njësoj si tirani la të izoluar Shqipërinë për gjysmë shekulli. Sot, pas tridhjetë vjetësh, vuajmë diktaturat që secili i vë shpirtit të vet. Prandaj tranzicioni vetëm zgjatet dhe ringjallja kombëtare është kaq e vështirë.

Rrëfimi ka karakter universal dhe fare natyrshëm mund të lexohet si tranzicion i pambarimtë vlerash për çdo lloj shoqërie, që në vend të merret me kurimin e plagëve që lë tirania, e harxhon kohën duke u menduar për karakterin e çuditshëm që kishte tirani. E gjitha kjo duket se merr formen e sindromës së Stokholmit, ku i rrëmbyeri (viktima) fillon të dashurojë xhelatin (tiranin) e, në vend të shërohet nga viktimizimi, merr dhe vet tiparet e tiranit.

Prandaj duhet harruar çdo gjë nga e kaluara, duhet fshirë çdo mendim për tiranin. Për të rilindur veten, tjetrin e ngjashëm dhe kombin. Ai “i panjohuri që prin”, personazhi i paemër që na i kumton të gjitha këto, gati një dekadë pas mbarimit të diktaturës, nuk është një ikanak. Është zëri i atij që zgjedh të rrijë duke përzënë nga vetja frymërat e tiranisë. Ai është mendimi që duhet të na prijë. Mendimi që duhet të guxojë të jetë ndryshe.  Siç është ndryshe, mes shumë veprave të botuara pas viteve ’90, edhe kjo vepër alegorizuese e Nezhës. E ndryshme për nga vlerat letrare dhe fryma që mbart./Exlibris