Alex Morgan mbron vajzën që e akuzoi Ronaldon për përdhunim: Paratë ndihmojnë në heshtjen e lajmeve


Gazeta Express
11 Shtator 2019 11:20

Nata e ndarjes së çmimeve të FIFA-s është duke u afruar. Në këtë event, kapitenia e ekipit kombëtar të vajzave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alex Morgan, do të jetë përkrah yllit portugez, Cristiano Ronaldos.

Në korrik të këtij viti, Alex Morgan e kishte postuar lajmin se një gjykatës i Nevadas kishte vendosur të mos ngre padi ndaj Cristiano Ronaldos, pas akuzave për përdhunim të ngritura nga Kathryn Mayorga, transmeton Gazeta Express.

Artikullin e titulluar “Ronaldo, një ikonë e korrupsionit në sport”, Morgan e ndoqi me mbishkrimin “Kjo është gazetari e vërtetë”.

Për shkak të këtij “tweet-i”, takimi mes Morganit dhe Ronaldos në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të FIFA-s mund të jetë i sikletshëm, por amerikania s’pranon t’i tërheqë fjalët e saja.

“Nuk do t’i qasem Ronaldos ndryshe nga të tjerëve që do t’i takoj në Milan. Mendoj se shumë herë, në ditët e sotme, gratë kanë guxuar të flasin dhe është e rëndësishme t’i mbështesim ato gra”, ka thënë Morgan.

“Dhe mendoj se shumë njerëz për momentin janë duke e vënë në dyshim se çka është e mira e çka e keqja. Kur e shikon historinë e Ronaldos në veçanti, mendoj se ka dëshmi dhe mendoj se, në fund të fundit, paratë ndihmojnë në heshtjen e lajmeve”.

“Nuk u bë asnjë padi ligjore, kështu ai ka mundësi dhe po vazhdon të luajë. Kjo s’do të thotë se unë nuk mendoj se ai është njëri ndër futbollistët më të mirë në botë, por kjo s’ka të bëjë asgjë me tjetrën. Ajo që ai e bën në fushë dhe si i argëton njerëzit në fushën e futbollit nuk ka të bëjë asgjë me personin që është ose veprimet që mund t’i ketë bërë”.

Vitin e kaluar, Kathryn Mayorga e akuzoi Cristiano Ronaldon se e kishte përdhunuar në orët e hershme të 13 qershorit të vitit 2009, në Las Vegas, pasi ishin takuar në një klub nate.

Mayorga, atëherë 25-vjeçare, e kishte raportuar sulmin në policinë e Las Vegasit. Ajo nuk e kishte identifikuar Ronaldon me emër sepse kishte thënë se ai ishte figurë publike dhe i frikësohej portugezit. Ajo ishte dërguar në spital dhe ishte hetuar nëse ka shenja përdhunimi.

Gjatë muajve në vazhdim, sipas avokatëve të Mayorgas, hetues privat të Ronaldos e kishin gjetur amerikanen dhe i kishin mbajtur shënim të gjitha lëvizjet e saj. Ajo gjithashtu pretendon se avokatët e Ronaldos e kishin detyruar atë ta nënshkruante një dokument.

Në atë dokument, Mayorga premtoi se nuk do të fliste kurrë publikisht për incidentin dhe në shkëmbim i mori 375 mijë dollarë. Ky dokument u nënshkrua edhe nga Mayorga edhe nga Ronaldo në janar të vitit 2010.

Në vitin 2017, gazeta gjermane Der Spiegel e publikoi një artikull ku Ronaldo akuzohej për përdhunim, mirëpo emri i Mayorgas ishte lënë anonim. Shumë prej informatave të gazetës ishin siguruar nga dokumente dhe mesazhe që ishin siguruar nga Football Leaks.

Agjenti i Ronaldos i mohoi menjëherë këto lajme, mirëpo asnjëherë nuk e paditi as Der Spiegelin e as Mayorgan për shpifje.

Në shtator të vitit 2018, Der Spiegel e publikoi edhe një tjetër artikull, këtë herë duke e treguar rrëfimin e plotë të Mayogas, e cila e zbuloi edhe identitetin e vet. Në atë artikull, Maryoga shpjegon në detaje se si Ronaldo e kishte sulmuar dhe çfarë kishte ndodhur me të në vitet në vijim.

Der Spiegel i zbuloi edhe disa dokumente të këtij rasti, të cilat përfshinin deklarata të dhëna nga Ronaldo. Në këto dokumente, portugezi e kishte pranuar se kishte qenë i ashpër me Mayorgan dhe se ajo i kishte thënë jo disa herë, para se ta dhunonte.

Avokatët e Ronaldos, por edhe vetë portugezi, e kanë mohuar këtë lajm disa herë. Megjithatë, për shkak të dokumenteve të besueshme të publikuara, policia e Las Vegasit i kishte rihapur hetimet për këtë rast.

Mayorga e kishte paditur yllin e Juventusit jo vetëm për përdhunim, por edhe për presionin që ia kishte bërë më vonë dhe përcjelljen përmes hetuesve privat.

Policia e Las Vegasit e hetoi këtë rast për të dytën herë në vitin 2018. Muajin e kaluar, gjykatësi i kësaj zone tha se ata nuk do të ngrenë aktakuzë ndaj futbollistit, por ende nuk është marrë vendimi përfundimtar. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart