Alessandro Delfanti: “Pinoku” origjinal është një histori radikale kundër punës - Gazeta Express
string(76) "alessandro-delfanti-pinoku-origjinal-eshte-nje-histori-radikale-kunder-punes"

Alessandro Delfanti: “Pinoku” origjinal është një histori radikale kundër punës

Arte

Gazeta Express

26/01/2023 16:25

Përktheu nga anglishtja Andreas Dushi

Nëse ndihesh sikur do t’i drejtosh gishtin e mesit punës apo shkollës, nuk je vetëm. Pinoku, mes gjithë të tjerëve, është në anën tënde. Ai nuk pranon të shkojë në shkollë; shet librin e tij të A-B-C-së për para… Është gati të bëjë gjithçka, të përballet me çdo pasojë, madje edhe të vrasë për të shmangur barrën e jetës moderne. Shoku i tij, Lampwick, u kthye në gomar dhe vdiq nga puna e tepërt. E vërteta është se përralla origjinale mund të lexohet si një histori radikale kundër punës dhe, ka të ngjarë se edhe mund të na mësojë diçka rreth politikave të së sotshmes kundër saj.

Lexo Edhe:

Nëse s’është kjo gjëja e parë që ju vjen ndër mend, mund të ndodh pasi shumë nga interpretimet bashkëkohore të përrallës së 1880 të Carlo Collinos janë zbehur nga natyra rebele e marionetës – veçanërisht animimi tradicional i Disneyt. Padyshim, ajo e Pinokut është një histori morale rreth një kukulle të drunjtë që bëhet djalë prej vërteti duke qenë i mirë dhe duke ndjekur rrugën që i paraqitet nga të rritur të përgjegjshëm që ai ndesh. Gjenija e Collinit ishte për t’i dhënë brezave të fëmijëve një shok biramel me të cilin mund të identifikoheshin kur përballeshin me botën e të rriturve dhe pritshmëritë e saj. Por kjo është veçse një pjesë e mozaikut.

Në fakt, Pinoku origjinal është gjithashtu rreth vështirësisë për t’iu përshtatur realitetit të ri të një Italie në ndryshimin e shpejtë të shekullit XIX, kohë kur pjesa më e madhe e ndryshimeve politike dhe ekonomike po riformatonin edukimin dhe punën. Ishte e thënë që njerëzit duhet t’i bashkoheshin kësaj ekonomie të re.

Si një marionetë, sikurse mund të imagjinohet, Pinoku gjithashtu kishte për të qenë pjesë, sidomos ngase ai ishte automaton, një objekt për t’u drejtuar nga të tjerët. Por Pinoku nuk kishte spango; kishte vullnet të lirë dhe shkolla e puna nuk ishin në krye të përparësive të tij. Kështu që, kush do ta kontrollonte. Do të qëndrojë dot?

S’ka shans! Deri në fund, Pinoku i Collodit refuzon të shkojë në shkollë apo të fillojë një punë, edhe përballë rreziqeve e belave që vijnë si pasojë. Liria dhe sjelljet e tija të fituara magjishëm veçse i dalin në rrugë për hir të rregullave të lojës. Mentorët e tij provojnë me forcë ta bindin të sillet mirë. Bulkthi që flet, për shembull, është një nga zërat kryesorë moral në përrallën e Collodit. “Pse nuk mëson së paku një zanat, që kështu të fitosh një jetë të ndershme?” e pyet pak pasi takohen. Kukulla menjëherë fillon të humbasë durimin. “Mes gjithë zanateve në botë, ka vetëm një që më përshtatet vërtetë,” përgjigjet. “Ai i të ngrënit, të pirit, të fjeturit, të luajturit dhe të sorollaturit nga mëngjesi, gjer në darkë.” Teksa bulkthi këmbëngul, Pinoku menjëherë e vret me çekan.

Vizualizimi i ri mahnitës në film stop-motion i Pinokut nga Guillermo del Toro shfaq një përrallë të errët dhe ironike, e cila duket të jetë pranë disa prej temave që Collodi thuri në roman. Si shumë nga librat për fëmijë të shekullit XIX, Aventurat e Pinokut është zbavitës por gjithashtu i dhunshëm, plot vdekje e fatkeqësi. Del Toro është i vërtetë në disa nga veçanësitë e përrallës së vjetër. Për shembull, ai përdor marionetën për të folur rreth marrëdhënies atë e birë dhe e vendos historinë në Italinë fashiste, duke siguruar kështu një kontekst pis-të-zi për shfrytëzimin e Pinokut.

Çfarë mungon është ideja se puna dhe shkolla janë gjëra që Pinoku i refuzon. Përkundrazi, kukulla e del Toros duket të jetë entuziaste për punën. “Tani kemi punë për të bërë” i thotë Xhepetoja Pinokut si arsye pse nuk mund të shkonin te cirku i sapoardhur në qytet. “Punë? E dashuroj punën!”, përgjigjet Pinoku, ndonëse, për hir të së vërtetës, ai nuk e di ku po shkon. “Papa, çfarë është puna?” shton menjëherë. Në një çast të rrallë autoritar, Xhepetoja përgjigjet “Oh, Pinok, të lutem! Mjaft me pyetje.”

Por pyetje do të lindin. Teksa përmbajtja shpaloset, Pinoku i del Toros fillon të punojë në një shfaqje marionetash dhe cirku që e punëson, dukshëm është duke shtrydhur gjithë ç’mundet nga ky yll në ngritje prej druri. Punëdhënësi batakçi po ngatërrohet aq shumë sa po i vjedh, madje, edhe pagën. Puna e tepërt, të qenurit trokë dhe mungesa e shtëpisë… Pinoku shpejt dhe pashmangshëm zhgënjehet me punën (edhe me fashizmin, por kjo është një tjetër histori).

Kjo mund t’ju ngjajë e njohur, pasi zhgënjimi me punën është sërish në qendër të politikave dhe kulturës sonë. Sërish e gjejmë veten duke u përballur me kriza ekonomike e jo vetëm. Edhe një herë, kuptimi dhe vlera e punës vendoset në pikëpyetje nga masa të tëra punëtorësh, sikurse histori të panumërta rreth Dorëheqjes së Madhe na janë thënë gjatë viteve të fundit.

Njerëzit punojnë përherë e më të pasigurt nën drejtimin e teknologjive digjitale të krijuara për të shtrydhur çdo vlerë prej tyre, dhe edhe më rrezikshëm, sikurse u vu re prej pandemisë. Edukimi është gjithashtu në krizë, me borxhet e papërmbajtshme të studentëve dhe vlerën e diplomës që bie ditë pas dite. Në këtë kontekst, tundimi për të provuar dhe shijuar një tjetër lloj jete mund veçse të ngrihet.

Në këtë sens, kohët tona nuk janë tërësisht ndryshe nga kohët kur Pinoku ka lindur. Përralla origjinale është botuar seri pas serie mes 1881 dhe 1883. Collodi e shkroi atë në epokën e ndryshimeve të stërmëdha për shtetin e sapolindur kombëtar italian. Duke filluar nga 1876, e Majta Historike erdhi në fuqi, një koalicion mes liberalëve dhe forcave reformiste që do të dominonte politikën italiane për dekada me radhë. Ata trashëguan një komb të ri, ta bashkuar që mbështillej nga rënie ekonomike e stërmadhe.

Për të luftuar depresionin, qeveria e Depretis-it krijoi një program reformash ekonomike dhe sociale të fokusuara te modernizimi i vendit thuajse tërësisht agrar dhe te nxitja e prodhimit industrial. Mes reformave ishte edhe ligji Coppino i 1877, i cili kërkonte tre vjet arsim të detyrueshëm për të gjithë fëmijët mes moshës gjashtë dhe nëntë vjeç. Shkolla u bë me detyrim.

Këto reforma nuk ishte thjesht të drejtuara nga idealet progresiste rreth qasjes në edukim – ato ishin një përgjigje konkrete ndaj nevojës së shfaqur prej industrisë për punëtorë të besueshëm. Edukimi në masë ishte i domosdoshëm për ta kthyer popullsinë rurale në një klasë punëtorësh që di shkrim e këndim, duke shtuar edhe aftësinë për t’ju shmangur ciklit të ngadaltë të fermave dhe për t’u bërë pjesë e organizatave të prodhimit industrial: të vinin në orar, t’i bindeshin urdhrave, të lexonin udhëzimet dhe të kapnin ritmin e makinerive të reja. Antonio Gramsi shkroi për “bllokun agrar-industiral” që solli kaq shumë ndryshime, fokusuar te mbajtja në ngritje e ekonomisë kapitaliste të Italisë së porsalindur.

Në këtë kontekst, përralla e Pinokut është një prej domosdoshmërive kombëtare dhe ekonomike. Ai duhet të mësojë një zanat, duhet të gjej një punë, për kapitalin dhe vendin. Sikurse tensionet e sotshme kundër punës, refuzimi origjinal i Pinokut ishte reagimi ndaj anktheve të industrializimit të shpejtë, ndaj ciklit të shpejtë të punës mbi popullsinë rurale të Italisë, ndaj mënyrës sipas së cilës individët ishin përgjegjës për një krizë ekonomike të gjeneruar nga shkaqe që s’i kontrollonin dot. Po ashtu edhe në kohët tona, njerëzve u thuhet të investojnë në edukimin e tyre, t’i vendosin zotësitë digjitale në shërbim të korporatave Big Tech, të bëjnë dy punë, të marrin kredi, të ndalojnë së ankuari. Jemi në një krizë, këtu nuk ka zgjidhje.

Për një çast të shkurtër, Pinoku i Collodit thotë jo dhe në vend të kësaj, kridhet në kënaqësi të çastit. Fatkeqësisht, nuk ia del. Është një pikëvështrim i dukshëm psikanalitik këtu, që në të vërtetë është shqyrtuar nga shumë kritikë e po ashtu, interpretues të përrallës së Pinokut. Libri i Collodit ka qenë përshkruar si një histori rreth përplasjes mes kënaqësisë dhe represionit, sikurse edhe mes jetës dhe vdekjes, një përrallë epike e shndërrimeve dhe rilindjes.

Po ashtu, duke i dalë në krye disa vlerësimeve kritike dhe riinterpretimeve bashkëkohore, është ndërgjegjësimi ai i cili, në vend që ta nxisë drejt shpëtimit, e dënon Pinokun ta braktisë lirinë e tij dhe e vendos në një trup të fituar njerëzor, fringo të ri, për të punuar. Për të, të jesh njeri është të punosh, dhe të punosh fort. Ashtu sikurse për të tjerë individë rebelë, mbrojta zë vend në refuzimin e tij. Veç të mendoni Bartleby-n e Herman Melvilles dhe të tijën “Parapëlqej që jo” e cila hap pas hapi e shpie drejt vdekjes nga uria.

Pinoku qartazi është shumë i ri, naiv dhe i izoluar në një botë imagjinare post-punë ku një bashkim i lirë i prodhuesve mund të zëvendësojë mizorinë e punës nën kapitalizëm. Pas të gjithave, 140 vjet më vonë, jemi akoma duke u përleshur me këtë problem. Dhe akoma, jemi vërtetë të dënuar për ta kërkuar shpëtimin dhe emancipimin nëpërmjet punës dhe vetëm punës?

Nëse përgjigjja është jo, atëherë duhet të dijmë se çdo mënyrë për të dalë jashtë këtij rebusi është e përbashkët: vetmëvete mund të gjejmë mënyrat tona për t’i rezistuar punës, por kush do t’i vërë në punë ato çka duhet për të na vijuar jeta? Për çdo Pinok që të hajë, të pijë, të flejë, të luaj dhe të sorollatet nga mëngjesi gjer’ në darkë, të paktën një Xhepeto dhe një Zanë duhet të punojnë. Në thelb, punëtorë dhe gra, krejt e pritshme.

Collodi nuk ishte revolucionar dhe kurrë s’do të arrinte kaq larg. Në fund të historisë, Pinoku i tij zbutet dhe marioneta bëhet një djalë prej vërteti. Ai mund të ndryshojë përmes dashurisë për të atin, por gjithaq duke punuar dhe ruajtur para. Përmblidhen këtu shpëtimi dhe dënimi?

Një përgjigje vjen nga kantautori italian Edoardo Bennato. Në Italinë e 1977, një tjetër vend dhe kohë e formësuar nga refuzimi i punës, ai shkroi një koncept të tërë albumi rreth Pinokut. Në procesin e të bërurit njeri, Bennato këndon se marioneta ka përftuar spangot dhe ka humbur përgjithnjë lirinë e tij: “Tani nuk bën një hap nëse dikush nga sipër/ nuk të komandon dhe vë spangot për ty”./Exlibris