Aleanca për Teatrin Kombëtar: Sot Rama arriti një nivel të ri urrejtje ndaj trashëgimisë


Gazeta Express
23 Mars 2019 18:48

“Nuk harroj Teatrin e ri Kombëtar të cilin do ta ndërtojmë me sesbën dhe për turpin e të gjithë atyre që e kanë baltosur pa lindur projektin tonë le ta bëjmë teatrin e ri kombëtar një kryevepër të konfirmuar ndërkombëtarësisht ashtu si Arena”

Kjo ishte deklarata e Ramës i cili i është rikthyer edhe njëherë bindjes së tij se Teatri Kombëtar do të prishet “me sesbën”. Fill pas këtij qëndrimi ka reaguar Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e cila përmes një postimi në faqen e saj zyrtare në rrjetin social ka dënuar deklarimet e kryeministrit. Sipas Aleancës është tashmë një fakt i njohur se i vetmi shqetësim i Ramës nuk është ngritja e një Teatri të ri, por fitimet marramendëse që do të shkojnë në xhepat e ndërtuesve që ai mban përkrah. Aleanca shkruan se këtë të shtunë Rama arriti një nivel të ri urrejtjeje për trashëgiminë shqiptare në një miting që u kushtoi shqiptarëve më shumë se gjysëm milioni euro.

REAGIMI

Sot Kryeministri Edi Rama arriti një nivel të ri urrejtje ndaj trashëgimisë, artit dhe kulturës së Tiranës dhe Shqipërisë. Në fjalimin e mitingut, një spektakël që shqiptarëve u ka kushtuar më shumë se gjysmë milion euro, ai kërcënoi se do të shembte jo vetëm Teatrin Kombëtar, por edhe Bibliotekën Kombëtare, Muzeun Kombëtar, si dhe Teatrin e Kukullave e njohur edhe si godina e parlamentit të parë shqiptar.

Si gjithmonë, këto plane ishin të veshura me gënjeshtrën e përhershme për “modernizimin” e qytetit, por kjo nuk është e vërtetë. Zotit Rama nuk i intereson aspak “modernizimi” i qytetit – ka mbi 20 vjet që vonon e pengon zgjerimin normal të Tiranës në pjesën veriore, ku mund dhe duhet të ishin ndërtuar me kohë godina të reja publike! Ka mbi 20 vjet që flet për një qytet të ri policentrik, e ndërkohë vazhdon të betonizojë çdo skutë të mbetur të qytetit ekzistues.

Siç e dimë mirë nga rasti i Teatrit Kombëtar, zoti Rama thjesht kërkon të përfitojë sa më shumë truall të vlefshëm për ndërtuesit pranë tij, mundësisht në zonat qendrore të qytetit. Për pasurimin e tyre, e për rrjedhojë të vetes, ai nuk ndalet përballë asgjëje. Nuk e ka problem të shkatërrojë çdo lloj godine historike, të krijojë një kaos të frikshëm urban, të shkaktojë humbje të pasurive publike, apo të grabisë truall duke thyer edhe ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit është e bindur që ai nuk do guxojë të ndërmarrë asnjë hap kundra Teatrit ashtu siç nuk ka guxuar deri më sot. Jemi të bindur pasi e kemi të qartë që e drejta është nga ana jonë. Por ne nuk mund të mbrojmë çdo truall dhe godinë të qytetit. Për këtë duhet ndihma dhe kontributi i të gjithëve, qytetarëve, mediave, opozitës, dhe përdoruesve të çdo godine të rrezikuar. Të gjithë së bashku mund dhe duhet ta ndalojmë këtë genocid urban që po rrezikon të ardhmen e këtij qyteti.

Edi Rama dhe servilët e tij politik do zhduken një ditë nga pushteti, dhe gjasat janë që kjo ditë të jetë shumë më e shpejtë seç e mendon ai. Por deri sa kjo të ndodhë, deri sa të zhduket njëherë e mirë nga karrigia ku po torturon shqiptarët në mënyrë të përditshme, duhet të sigurohemi që dëmi që po lë pas mund të korrigjohet ende. Në shumë fusha të jetës, ligjet dhe vendimet e marra prej tij do të rrëzohen. Por grabitjet e truallit dhe betonizimet do të jenë operacione të vështira dhe të kushtueshme për tu riparuar. 
Për këtë arsye, qytetarë të Tiranës, ju kërkojmë të jeni ju sot mbrojtësit e të ardhmes së këtij qyteti. Reagoni për veten dhe familjet tuaja. Opozita duhet të deklarojë qartë dhe haptazi se çdo ndërtues që i afrohet këtyre godinave do mbartë koston për restaurimin e tyre në të ardhmen në gjendjen fillestare dhe se asnjë tjetërsim trualli nuk do të njihet!

Edi Rama nuk mund dhe nuk duhet të jetë njeriu që e shkatërroi përjetësisht Tiranën!

ALEANCA PËR MBROJTJEN E TEATRIT

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart