Aleanca për Shqiptarët kërkon ndriçimin e rastit të plagosjes së dy personave në një dasmë në Tetovë


load
Gazeta Express
10 Gusht 2019 14:07

Partia e Ziadin Selës, Aleanca për Shqiptarët kërkon ndriçimin sa më të shpejtë të rastit, ku dyshohet se një funksionarë i lartë i BDI-së ka plagosur dy persona gjatë një nate festive familjare.

Sipas Aleancës, një nga personat e plagosur është në gjendje shumë të rëndë dhe po lufton për jetën.

“Kaluan disa ditë nga publikimi i lajmit për plagosjen e dy personave në një dasmë në Tetovë, e bashkë me lajmin zbulohet edhe identiteti i autorit i cili është funksionar i lartë partiak i BDI-së dhe deputet aktual në Kuvend.

Pas këtij lajmi, asnjë veprim konkret nuk u kuptua nga institucionet kompetente.

Sipas informacioneve tona njëri nga të plagosurit është në gjendje të rëndë shëndetësore, mjekët nuk po ja heqin plumbin nga gjoksi, për shkak të rrezikimit të jetës së tij.

Pyesim publikisht prokurorinë dhe MPB, çfarë ndodhi me autorin e këtij akti, që rrezikoj jetën e qytetarëve, duke përfshirë edhe djalin e tij?

Policia, deri ku është me procedimin e rastit dhe prokuroria a po kryen detyrën e saj? Mos informimi i opinionit për këtë rast na bënë të dyshojmë se ky rast nuk po trajtohet nga organet kompetente për shkak të ndikimit politik.

Ku ka përfunduar sistemi i drejtësisë, prokurorisë e policisë i cili përveç politizimit të skajshëm gjithnjë e më shumë po vërtetohet se është thellësisht i kriminalizuar.

Aleanca për Shqiptarët kërkon nga organet kompetente që sa më shpejt ta ndriçojë rastin, e mos të mbron funksionar partiak që janë thellë të zhytur ne krim e korrupsion.

Qytetarët, zhgënjimin duhet ta kthejnë në veprim, dhe së bashku të çlirohemi nga kjo klikë e degjeneruar që po na mban peng tani më një dekadë dhe të fillojmë të frymojmë lirshëm si çdo shoqëri evropiane”.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart