Albin Kurti sfidon LDK’në: Hajde ta krijojmë një subjekt për një fitore të madhe


Gazeta Express
20 Korrik 2019 11:59

Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, u ka bërë thirrje Isa Mustafës dhe LDK’së që të bëhen bashkë për të shkuar në zgjedhje. Ka thënë se bashkimi në një subjekt do të sillte një fitore të madhe edhe për Kosovën.

Këto komente i ka dhënë sot në një konferencë për media kur është pyetur edhe për një marrëveshje të mundshme me LDK’në para se të shkohet në zgjedhje.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me LDK-në. Jemi të interesuar ta krijojmë paraprakisht një subjekt qe e kthen shpresën në Kosovë dhe formon një efekt sinergjik që edhe dalja të jetë masive dhe jo vetëm një fitore e madhe”, ka thënë Kurti.

Lideri i VV’së ka thënë se posa të përfundojnë zgjedhjet në LDK do të ketë hapa konkret drejt një marrëveshje politike.

“Lidhja Demokratike e Kosovës në fillim të gushtit e përfundon procesin e zgjedhjeve të brendshme dhe do të ndërmarrën hapat tjerë”, ka thënë Kurti.

Isa Mustafa dhe Albin Kurti ishin takuar kohëve të fundit. Por, s’kishin dhënë shenja se mund të bëheshin bashkë para zgjedhjeve.

LDK vazhdimisht ka thënë se s’heq dorë nga pozita e Kryeministrit në çfarëdo koalicioni, qoftë edhe parazgjedhor.

Isa Mustafa, mbrëmë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt, ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje për të dalë një Qeveri kredibile.

Ramush Haradinaj dha dorëheqje të premten, dy muaj pa i mbushur dy vjet të Qeverisë së ndërtuar nga AAK-ja, PDK-ja, NISMA e AKR-ja.

Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte.

Kohëve të fundit, lideri i AAK’së i prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Washingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.

Udhëheqësi i partisë së pestë në Kosovë mbeti i vetëm në luftën për ta mbrojtur taksën e vendosur kundër Serbisë. Ndërsa, ishte kundër prekjes së kufijve, një temë kjo e përkrahur nga Hashim Thaçi.

Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK-ja ka mbetur e hutuar nga ky vendim. LDK-ja e “Vetëvendosje” kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme, sikurse edhe PSD-ja e NISMA e Fatmir Limajt.

Presidenti pritet që gjatë ditëve në vijim t’i thërrasë partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.

Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila e ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Qeveria e Ramush Haradinaj, prej kur e vendosi taksën, mbeti Qeveri e pakicës, e mbështetur për disa vendime nga PSD-ja e Shpend Ahmetit.

Ish-Komandanti i UÇK’së për Zonën e Dukagjinit është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.

Ish-Kryeministri Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.

Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues.

Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart