Albin Kurti, bokseri i Mefit dhe Dimalit që “palon” e “palavit” kundërshtarë - Gazeta Express
string(71) "albin-kurti-bokseri-i-mefit-dhe-dimalit-qe-palon-e-palavit-kundershtare"

Albin Kurti, bokseri i Mefit dhe Dimalit që “palon” e “palavit” kundërshtarë

Ballina

Gazeta Express

29/09/2022 17:48

Në sytë e tyre është i pamposhtur e i paarritshëm. Ata nuk e imagjinojnë që lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti mund të rrëzohet në ndonjë përballje. Dy deputetët e VV’së, Mefail Bajçinovci, më i afërt me Kurtin, e Dimal Basha me tendenca për t’u afruar më shumë, e paraqesin në publik një figurë të Kurtit që vazhdimisht është në ndonjë betejë, ku triumfon gjithmonë. Sipas Bajçinovcit, Kurti e çmonton dhe e palavitë opozitën, ndërsa Basha thotë se kreu i VV’së “që nuk i ka lëshu pe Vuçiqit e Grenellit, i palon nga 50 rrahmana në ditë”.

Kështu dy deputetët e VV’së, të cilëve duket se u jepet hapësirë më e madhe mediale nga Lëvizja Vetëvendosje e shohin arenën politike.

Lexo Edhe:

Sot, në Kuvendin e Kosovës pati një seancë ku Kryeministri Albin Kurti e Hekuran Murati patën një përballje me kreun AAK’së Ramush Haradinajn, i cili u ankua se sa herë që merr fjalën dikush nga qeveria e pengon dhe i flet edhe fjalë që s’janë për publik. Kurti i iu përgjigj atij duke thënë se Murati e ndërpreu, por aty nuk pati fyerje.

Dhe duket se këto skena janë të preferuara për t’u komentuar nga Dimal Basha dhe Mefail Bajcinovci, të cilët kreun e VV’së e shohin gjithnjë fitues.

Mbrëmë, deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, sërish u mor me kreun e SBASHK’ut, Rrahman Jasharajn, të cilin e përdori që ta ngrisë figurën e shefit të tij, Albin Kurti.

Të njëjtën metodë e përdori edhe deputeti tjetër i VV’së, Mefail Bajqinovci gjatë këtij muaji, veçse ky i fundit Kurtin e lartësoi mbi ofendimet ndaj opozitës.

Gjatë emisionit të djeshëm të “DPT te Fidani”, Basha ka komentuar propozimin e SBASHK’ut drejtuar anëtarësisë – a janë pro apo kundër pezullimit të grevës deri në janar.

Duke u munduar ta paraqesë Kurtin si këmbëngulës, Basha tha se kryeministri “i palon” 50 Rrahmana në ditë.

“Nuk lëshon pe Albin Kurtin, e njohin që nuk lëshon pe. S’i ka lëshu pe Vuçiqit, s’i ka lëshu pe Grenellit, e Rrahmana 50 në ditë t’i palon. Mos e merr seriozisht Rrahmanin për shkak të veprimeve të këqija. Paramendoje njeri po don mu bo hero tu i lan fminë pa shkolla”, tha Basha në “DPT te Fidani”.

Një tendencë për ta ngritur lart kryeministrin, e kishte bërë edhe kolegu i Bashës, deputeti tjetër i VV-së, Mefail Bajqinovci.

Më 16 shtator në KTV, Bajqinovci komentoi deklaratën e kryetarit të PDK’së, Memli Krasniqi, i cili i tha “tuc” kryeministrit Kurti.

Ai tha se Kurti “jo që i çmonton, por i palavitë” opozitën.

“Shiko, kjo fjala tuc, tuc, tuc, tuc… unë e di si debaton z. Kurti. Këta jo që i çmonton, por i palavitë që thotë populli.  Ka pasur takim me z. Lajçak. Përndryshe, këta nuk i bën hesap. Ju e dini, Kurti është i jashtëzakonshëm në debate. Dhe nuk i dihet shumë përgatitje për opozitën”, tha ai.

Ndërkaq, kryetarit të LDK’së, Bajqinovci iu referua si imitator i dobët i kryeministrit Kurti, duke thënë që ai nuk e ka fytyrën për batuta.

“Imitatori i dobët i Albinit… a po e shihni tenton me imitu Albinin komplet. Është imitator shumë i dobët. Tenton me do fraza me do sjellje me kopju, që Albini i ka origjinal. Nuk e ka fytyrën ky për batuta, më shumë rri në pasqyrë t’u u rregullu”, u shpreh Bajqinovci. /GazetaExpress