Albian Ajeti, pas kalimit në Premierligë: Kjo është një ditë e madhe!


Gazeta Express
8 Gusht 2019 10:31

Sulmuesi me prejardhje kosovare, Albian Ajeti, është shprehur shumë i lumtur me transferimin e tij nga Baseli në West Ham United, duke thënë se kjo është një ditë shumë e rëndësishme për të dhe familjen e tij.

Pas raportimeve të djeshme se Albian Ajeti do të zyrtarizohej së shpejti në West Ham Unitedi, klubi i Premierligës e konfirmoi transferimin e sulmuesit nga Baseli përmes një videoje të përcjellë me mbishkrimin “Takojeni sulmuesin tonë të ri”, shkruan Gazeta Express.

22-vjeçari u bashkohet “Çekanëve” fillimisht në një marrëveshje katërvjeçare, mirëpo në kontratë është i përfshirë një opsion për ta zgjatur atë edhe për dy sezone të tjera shtesë.

Ajeti – i cili e luajti ndeshjen e tij të fundit për klubin zviceran në fitoren kundër PSV-së, në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve – i ka shënuar më shumë sesa 40 gola gjatë tre sezoneve të fundit.

“Jam shumë i kënaqur që jam këtu. Është një kënaqësi për mua të jem këtu, në këtë klub të madh”, tha sulmuesi, i cili në klub do ta veshë fanellën me numër 27.

“Sapo mësova për interesimin e West Hamit, nuk mu desh të mendohesha dy herë për të nënshkruar për këtë klub të madh tradicional në Premierligë. Kjo është një ditë e madhe për mua dhe për familjen time”.

Pic by Arfa West Ham United Unveil New Signing Albian Ajeti 07-08-2019 Copyright Griffiths Photographers NO FREE USE

Drejtori i futbollit në West Ham, Mario Husillos, u shpreh i kënaqur që e mirëpriti Ajetin në klub dhe ai mezi po pret ta shohë sulmuesin duke u zhvilluar dhe përmirësuar edhe më shumë me “Çekanët”.

“Jemi shumë të lumtur që po e mirëpresim Albianin në West Ham United. Ai është një lojtar shumë i ri, në të cilin ne kemi besim se do ta ketë një të ardhme të madhe në klub”, u shpreh Husillos.

“Skautët tanë e shikuan atë disa herë dhe sollën raporte shumë të mira. Ai është një sulmues i shpejtë dhe agresiv. Ai ka shënaur shumë gola, si për Baselin, ashtu edhe për Kombëtaren e Zvicrës dhe ne besojmë se ai është gati për ta bërë këtë hap të madh me West Hamin”.

“Ne besojmë se Albiani është në gjendje të performojë qysh nga fillimi, por gjithashtu besojmë se ai, si 22-vjeçar, mund të përmirësohet shumë duke punuar me ne. Ia urojmë atij më të mirat në karrierën e tij në stadiumi e Londrës”. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart