Albert Bunjaki rrëfen takimin e parë me Bernard Challandes


load
Gazeta Express
8 Nëntor 2019 20:20

Ish-trajneri i Kombëtares së Kosovës, Albert Bunjaki, ka bërë të ditur se ai ishte takuar me trajneri i ri të “Dardanëve” Bernard Challandes në Mitrovicë dhe se ai është gjithmonë i gatshëm për ndihmë apo bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës.

Albert Bunjaki e mbajti pozitën e trajnerit të Kosovës nga 1 janari i vitit 2009 deri më 8 tetor të vitit 2017, megjithatë rolin më të madh në skuadër e pati pas vitit 2016 kur Kosova u bë pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s, raporton Gazeta Express.

Kombëtarja e Kosovës që nga pranimi në UEFA dhe FIFA i kishte humbur shtatë nga tetë ndeshjet e zhvilluara në arenën ndërkombëtare me Bunjakin në pozitën e trajnerit, i cili ishte përballur me disa kundërshtarë të mëdhenj si Kroacia.

Pas këtyre rezultateve, kryetari i atëhershëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, bëri të ditur se Bunjaki është shkarkuar nga pozita e trajnerit dhe në vend të tij erdhi trajneri Bernard Challandes, i cili e arriti një ecuri të mrekullueshme të ndeshjeve pa disfatë, deri në përballjen me Anglinë.

“Jam takuar me Challandesin në Mitrovicë, jemi takuar në mënyrë shumë të mirë. I kam treguar këtë që për fat të mirë të gjithë stafin teknik që unë e kam pasur – Muharremin, Bajramin, Gencin – të gjithë janë në Kombëtare, kjo e vazhdon kontinuitetin e punës”, ka thënë Bunjaki në emisionin sportiv në T7, “Favorit”.

“Gjithashtu i kam thënë se për çfarëdo që ka nevojë, unë jam i gatshëm të i jap informata – qoftë të këqija e qoftë të mira, ato që kanë qenë reale – ngase vetëm në këtë mënyrë mund të shkojmë përpara”.

“Gjithmonë kam thënë se te unë nuk ka mbyllje të një dere, por vetëm hapje të një dere tjetër. Unë nuk ia kam mbyllur kurrë derën Federatës së Futbollit dhe Kombëtares së Kosovës, gjithmonë jam aktiv dhe e shoh ende veten aktiv në futbollin e Kosovës në forma të ndryshme”.

Kosova tani kërkon kualifikimin në Kampionatin Evropian 2020 përmes dy përballjeve që do të zhvillohet gjatë dy javëve të ardhshme – fillimisht më 14 nëntor kundër Çekisë e tre ditë më vonë kundër Anglisë në “Fadil Vokrri”. /Gazeta Express/ 

Te fundit


Kthehu lart