Alarmante: Në Kosovë s’ka doping kontroll, ka dyshime për përdorim të “Efedrin-it”!


Gazeta Express
12 Prill 2019 21:16


Në emisionin “Favorit” në T7 është hapur një debat rreth dopingut. Mysafirët mendojnë se mungesa e doping kontrollit në futbollin kosovar e lë të hapur mundësinë që futbollistët të përdorin doping. Dyshimet më të mëdha shkojnë te substanca e ndaluar, “Efedrin”

Në një kohë kur në kampionatin kosovar të gjitha klubet po luftojnë në të tria anët – për titull të kampionit, për t’i shpëtuar rënies dhe për t’i ikur barazhit – për çka klubet kanë bërë investime shumë të mëdha që t’i arrijnë objektivat, askush nuk mund të garantojë që futbollistët nuk përdorin doping.

Kjo do të mund të vërtetohej vetëm përmes doping kontrollit, e i cili në Kosovë nuk bëhet fare, ndonëse në të gjitha shtetet tjera, madje edhe te shtetet fqinjë, doping kontrolli praktikohet, shkruan Gazeta Express.

Andaj, kjo është bërë një temë e nxehtë diskutimi edhe në studion e emisionit “Favorit” në T7, ku trajneri i njohur, Bylbyl Sokoli, shprehet se ekziston rreziku serioz që futbollistët kosovarë të dopingohen, duke e pasur parasysh se ata nuk i kontrollon askush për këtë.

“Ne ende në Superligë nuk kemi doping kontrollë. Kjo ndodh vetëm në Kosovë, pasi në rajon të gjithë e kanë doping kontrollin. Unë kam punuar në Maqedoni dhe atje ka pasur. Futbollistët mund të dopingohen, s’i kontrollon askush. Federata e Futbollit e ka obligim ta formojë një ekip për antidoping. Shpresoj që Kosova ta ketë në të ardhmen e afërt një institut për doping kontroll”, është shprehur “Profa” në “Favorit”.

“Doping kontrolli është i domosdoshëm dhe urgjent. Kontroll të tillë duhet të ketë edhe në kampionatin kombëtar, e jo vetëm për ndeshjet ndërkombëtare”, shton trajneri aktual i Ferizajt.

Ndërkohë, gazetari Arlind Sadiku shprehet se ka dëgjuar që në Kosovë futbollistët kanë përdorur dhe përdorin substanca të ndaluara stimuluese.

“Besoj se për klubet e Superligës do të ishte i domosdoshëm doping kontrolli sepse ne e jetojmë këtë realitet dhe e dimë, jemi në shoqëri të futbollistëve. Ata marrin substanca që nuk kontrollohen. Kemi pasur edhe raportime që lojtarët kanë marrë substancë ‘Efedrin’. Në futboll kjo substancë është e ndaluar. Kështu që, futbolli do të duhej të ishte i pastër prej çfarëdo droge ta quaj, që nuk është në të mirë të futbollit”, thotë gazetari dhe komentatori i Super Sport Kosova.

“Nëse ia kemi bërë hyzmetin UEFA-s për doping kontroll kur luan Kombëtarja e Kosovës dhe klubet kosovare për garat evropiane, duhet t’ia bëjmë edhe vetes sepse edhe në Superligë ka nevojë që kjo të instalohet”, ka shtuar Sadiku, në emisionin “Favorit”.

I vetëdijshëm për pasojat që sjell përdorimi i substancave të tilla është edhe Erdin Hashani, i cili ka pasur një karrierë të gjatë. Megjithatë, ai nuk beson se në Kosovë ekziston kjo dukuri negative.

“Është e ndaluar dhe aspak e preferueshme pasi lojtarët dalin nga vetvetja, dalin nga kapaciteti i tyre. Në Shqipëri kur kam luajtur, doping kontrolli bëhej vetëm për ndeshjet ndërkombëtare. Unë nuk kam dëgjuar dhe mendoj se nuk ka përdorim të dopingut në futbollin kosovar”, thotë trajneri aktual i Dardanës, i cili kishte luajtur për disa skuadra kosovare. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart