Akuzohet se ka një dekadë i martuar dhe hiqet si beqar, Oni Pustina publikon për herë të parë momente me gruan


Gazeta Express
13 Prill 2019 14:45

Ish-modeli i njohur, që bëri famë në Itali për vite me radhë, është kthyer në ekranin shqiptar si postieri i emisionit “Dua të të bëj të lumtur”, që nisi transmetimin në janar në ekranin e “Top Channel”.

Oni rikthehet pas suksesit në emisionin e Maria De Filipit në Itali, vite më parë, kësaj here jo më si beqari seksi, por si babai i lumtur i një vajze. Pas një mungese të gjatë në ekran, Oni merr përsipër këtë rol, duke trokitur në dyert e atyre personazheve, që bëhen pjesë e surprizave të programit.

Ai së bashku me postierët e tjerë janë të parët që prekin emocionet e personazheve të ftuar. Kujtojmë që Oni Pustina ka qenë edhe vitin e kaluar në puntatën e fundit të emisionit, si i përzgjedhuri i Arbana Osmanit për të surprizuar stafin. Ky është angazhimi i tij i dytë në showbiz, pasi u kthye në Tiranë dhe krijimit të familjes.

Pak kohë më parë, e pamë në klipin e Jonida Maliqit me titull “N’errësirë”, ku shihej në një “romancë” buzë detit me këngëtaren. Ish-modeli, që bëri karrierë dhe mori famë të jashtëzakonshme në Itali, u shfaq sharmant në klip me thinjat e moshës.

Prej vitesh, Oni qëndron larg vëmendjes mediatike, pasi është përqendruar më shumë te familja, që ka krijuar nga martesa me ish-balerinën, Linda Poda. Pas disa viteve larg ekranit, çifti që u njoh në “Dancing with the stars”, tetë vite më parë, tashmë janë prindër të një vajze. Oni dhe Linda kanë zgjedhur jetën e qetë, sidomos këto tre vitet e fundit, pasi, mesa duket, kanë dashur ta shijojnë në maksimum rritjen e fëmijës. Ishpostieri i Maria De Filipit dhe balerina elegante e disiplinave latine bëjnë një jetë po ashtu larg mediave sociale.

Por nisur nga ky fakt dhe postimet që bën Oni në “Instagram” (vetëm me postieret e reja të stafit, apo foto retrospektivë si model nga e shkuara e tij e shkëlqyer), publiku ka kujtuar se ai bën ende jetë beqari. Disa prej tyre, që janë në dijeni të martesës së tij, e kanë kritikuar apo akuzuar me komente në rrjet për faktin se ai nuk poston asnjë foto me bashkëshorten, duke u hequr si beqar. Këto qëndrime e kanë nxitur Onin të postojë një foto të vetme në “Instagram”, ku shfaqet me Lindën në krah. Kujtojmë që pas zhdukjes nga qarkullimi, për vite e vite me radhë, çifti u fotografua pak vite më parë në plazhin e Dhërmiut.

Ata duken tashmë çift mjaft i konsoliduar dhe të përkushtuar 100 për qind te vajza. Vitin tjetër bëjnë një dekadë nga njohja në skenën e “Dancing with the stars” dhe që nga ajo kohë e kanë mbajtur martesën larg vëmendjes së publikut.

Që nga viti 2010, kur Oni fitoi spektaklin e parë të DWS, Linda i përkushtohet profesionit të juristes, ndërkohë që punojnë edhe në biznesin e tyre në Tiranë. “Është koha të mendoj për gjëra të tjera tani”, tha balerina Linda Poda, kur bashkë me Oni Pustinën fituan në vitin 2010 edicionin e parë të “Dancing with the stars”.

Në atë kohë, mediat nënkuptuan se pjesë e planeve të vajzës shtalartë, ishte edhe e ardhmja e lidhjes me Onin, edhe pse çifti, ashtu si edhe për çdo gjë tjetër, ia la kohës vendimin për një bashkëjetesë, e ndoshta një martesë. Ky ishte dhe momenti kur Linda iu përkushtua degës së avokatisë për të mbyllur kështu hesapet me kërcimin. Nga ana tjetër, modeli shqiptar me famë në Itali nisi misionin brenda profesionit me sjelljen në Shqipëri të veshjeve “alta moda”, duke hapur në Tiranë një dyqan me produkte të stilistëve të njohur.

PANORAMA PLUS

Te fundit


Kthehu lart