Akuzat për vizita të Kurtit, Sveçlës e Abazit në Dhomën e Përgjimeve, reagon Telekomi - Gazeta Express
string(83) "akuzat-per-vizita-te-kurtit-svecles-e-abazit-ne-dhomen-e-pergjimeve-reagon-telekomi"

Akuzat për vizita të Kurtit, Sveçlës e Abazit në Dhomën e Përgjimeve, reagon Telekomi

Gazeta Express

29/05/2020 17:52

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë në RTV Dukagjini kishte deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kuri, bashkë me Xhelal Sveçlën dhe Haki Abazin, kishin ndalur kamerat dhe se ishin futur në “Dhomën e Përgjimeve” në Telekomin e Kosovës për tri ditë rresht.

Deklaratat e Thaçit i ka mohuar edhe vetë kreu i VV’së, Kurti, i cili e ka thënë se presidenti ka shpifur kur ka folur për diçka të tillë.

Lexo Edhe:

E pas kësaj përplasje Thaçi-Kurti ka reaguar edhe Telekomi i Kosovës, duke thënë se janë deklarime të cilat e dëmtojnë reputacionin e Telekomit.

Ndër të tjera kanë sqaruar se si Telekom nuk kanë “Dhomë të Përgjimeve”, por kanë treguar se në objektin në të cilin janë të vendosur e i cili është në pronësi të Postës së Kosovës ekziston edhe “Dhoma e Përgjimeve” që menaxhohet nga Prokuroria e Shtetit dhe kanë sqaruar se nuk e menaxhojnë një ambient të tillë si Telekom.

Edhe përkundër faktit se nuk e menaxhojnë, në një komunikatë për media kanë thënë se hapësira në fjalë apo “Dhoma e Përgjimeve” është nën monitorimin e kamerave dhe thonë se pas verifikimit nga personat kompetent të ambientit nuk është vërejtur asnjë shenjë apo element i dyshimtë për qasje me forcë apo qasje të pa autorizuar.

“Hapësira në fjalë është e monitoruar përmes kamerave të cilat menaxhohen nga Kryeprokurori i Shtetit. Pas verifikimit nga personat kompetent, përreth hapësirës në fjalë nuk është gjetur asnjë shenjë apo element i dyshimtë për qasje me forcë apo qasje të pa autorizuar”, thuhet në njoftimin për media.

Reagimi i plotë:

I sigurojmë konsumatorët tanë se nuk ka përgjime nga ana e Telekomit të Kosovës dhe as qasje të paautorizuar në rrjetin tonë.Pas deklaratave joprofesionale dhe të pambështetura në fakte të zyrtarëve të lartë të shtetit, të cilat e dëmtojnë pa të drejtë reputacionin e Telekomit të Kosovës sh.a., e ndiejmë të nevojshme të sqarojmë opinionin me sa vijon:

Telekomi i Kosovës sikurse edhe operatorët e tjerë të Telekomunikacionit në Kosovë nuk posedojnë “dhoma të përgjimeve” me të cilat po spekulohet në opinion.

Objekti ku është e vendosur drejtoria dhe administrata jonë kryesore, aktualisht nuk është pronë e Telekomit të Kosovës sh.a. por e Postës së Kosovës.

Në kuadër të kësaj ndërtese ekzistojnë hapësira të cilat nuk i menaxhon Telekomi i Kosovës sh.a. dhe një ndër to është edhe një hapësirë e cila menaxhohet nga Kryeprokurori i Shtetit.

Kjo hapësirë apo “ dhoma e përgjimeve” si është e njohur nëpër media, funksionon në bazë të ligjit 05/L-030 dhe me një Vendim të Kryeprokurorit të Shtetit. Të gjitha këto janë të bazuara në Standardet Ndërkombëtare të sigurisë.

Hapësira të tilla ekzistojnë tek të gjithë operatorët në Evropë, duke i përfshirë këtu edhe operatorët në Kosovë.

Në këtë hapësirë, e cila menaxhohet nga Kryeprokurori i Shtetit, nuk ka pasur qasje asnjëherë dhe në asnjë rast nga ndonjë i punësuar i Telekomit të Kosovës sh.a. pa autorizim dhe pa praninë e përgjegjësve nga Prokuroria e Shtetit.

Hapësira në fjalë është e monitoruar përmes kamerave të cilat menaxhohen nga Kryeprokurori i Shtetit.

Pas verifikimit nga personat kompetent, përreth hapësirës në fjalë nuk është gjetur asnjë shenjë apo element i dyshimtë për qasje me forcë apo qasje të pa autorizuar.

Deklaratat e pa verifikuara, të pasakta, apo të papërgjegjshme mund të e dëmtojnë biznesin dhe imazhin e Telekomit të Kosovës sh.a. Kemi frikë se kjo mund të keqkuptohet si favorizim i konkurrencës apo dëmtim i qëllimshëm i reputacionit të Telekomit te Kosovës sh.a.