Akuza e ashpër e Berishës: Dikush duhet të përgjigjet për 200 zyrtarët e vrarë të LDK-së - Gazeta Express

Akuza e ashpër e Berishës: Dikush duhet të përgjigjet për 200 zyrtarët e vrarë të LDK-së

Gazeta Express

07/05/2019 14:13

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në një intervistë për Ora News në emisionin ‘360 gradë’ të gazetarit Artur Zheji, ka folur edhe për krijimin e Gjykatës Speciale, për të cilën thotë se është ngritur në bazë të pretendimeve të senatorit zviceran, Dick Marty, bazuar në dosje serbe.

Berisha thotë se ajo gjykatë u ngrit për akuzat që Marty ia ka bërë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.

Ish-kryeministri i Shqipërisë potencon se nuk e di që Thaçi të ketë kryer ndonjë krim, por sipas tij presidenti aktual i Kosovës duhet të shkojë atje që të pastrohet, pasi, sipas tij, ai është “peng i dosjes së Beogradit”.

Berisha derisa ka folur për pastrimin e Thaçit, ka përmendur edhe vrasjen e 200 zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës pas luftës.

“Ai është një peng i dosjes së tij të Beogradit. Hashim Thaçit po t’i ketë ngelë edhe një nanogram karakter, nuk merret kurrë me negociata për Kosovën, pa shkuar në Hagë e pa u pastruar. Unë nuk di të ketë kryer ndonjë krim. Gjykata u ngrit vetëm për akuzat që Dick Marty i bëri Hashim Thaçit. Raporti i Dick Martyt është i bazuar në dosje te prokurorit të Beogradit. Por të them dhe tjetrën, janë 200 anëtarë dhe drejtues të LDK-së të ekzekutuar pas lufte. E them dhe këtë unë. Janë 200, jo një, duke filluar prej drejtueseve kryesor, gazetar e anëtarë të thjesht. Ky është numri i saktë që po iu them unë, nëse se dini.Ky duhet të shkojë atje, të pastrohet, unë nuk di të këtë kryer ndonjë krim, për asnjeri sdi, por Gjykata u ngrit për raportin e Dick Martyt. E ka pranuar edhe argati, e kam pranuar dhe unë. Ai vetes i thotë argat”, ka thënë Berisha, raporton Gazeta Express.

Ndër të tjera në këtë intervistë, Berisha ka akuzuar Edi Ramën e Hashim Thaçin se i kanë bërë argatin e Serbisë, në momentin kur kanë pranuar që të diskutojnë në tavolinë për ndarje të Kosovës, ide kjo që u varros në Samitin e Berlinit.

Një ide e tillë për prekje të kufijve, sipas Berishës është një ide e vjetër serbe, të cilën Thaçi në mënyrë qesharake e përvetësoi duke thënë se është e tija.

Berisha ka treguar se gjatë kohës sa ishte në pushtet si kryeministër, i ishte kërkuar që fliste me Serbinë për Kosovën, por thotë se një gjë të tillë nuk e kishte pranuar kurrë, pasi sipas tij Serbia duhet t’i zgjidh problemet me Republikën e Kosovës.

Në të kaluarën thotë se në zyrën e tij i kanë shkuar edhe njerëz të ndryshëm, jo serbë, me harta të ndryshme se si duhet të copëtohen tokat shqiptare.

Për taksën, Berisha thotë se ai vendim i Haradinajt ndali idenë e Ramës e Thaçit për korrigjim të kufijve./GazetaExpress/

Shih intervistën duke filluar nga 1 orë e 23 minuta