Aktori i njohur francez shpallet fajtor për ngacmim seksual ndaj dy grave - Gazeta Express
string(83) "aktori-i-njohur-francez-depardieu-shpallet-fajtor-per-ngacmim-seksual-ndaj-dy-grave"

Lajme

Gazeta Express

13/05/2025 10:56

Aktori i njohur francez shpallet fajtor për ngacmim seksual ndaj dy grave

Lajme

Gazeta Express

13/05/2025 10:56

Aktori i njohur francez, Gérard Depardieu, 76 vjeç, është shpallur fajtor për ngacmim seksual ndaj dy grave gjatë xhirimeve të një filmi në Paris në vitin 2021.

Sipas raportimeve të fundit, aktori francez Gérard Depardieu është dënuar me 18 muaj burg me kusht. Dënimi me kusht nënkupton që Depardieu nuk do të shkojë menjëherë në burg, por nëse shkel ligjin gjatë kësaj periudhe, mund të vuajë dënimin.

Depardieu, një nga figurat më të mëdha të kinemasë franceze, me mbi 200 filma dhe seriale televizive në karrierë, është personazhi më i njohur i industrisë franceze të filmit që shpallet fajtor për ngacmim seksual që nga fillimi i lëvizjes #MeToo.

The Guardian raporton, se aktori është shpallur fajtor për ngacmim seksual ndaj një gruaje 54-vjeçare që punonte si skenografe dhe një asistenteje regjisorje 34-vjeçare gjatë xhirimeve të filmit “Les Volets Verts” (Dritaret e Gjelbra) në Paris, në shtator të vitit 2021. Mësohet se në kohën e shpalljes së vendimit, aktori Depardieu nuk ka qenë i pranishëm. Megjithatë, gjatë gjykimit ai ka mohuar akuzat për ngacmim seksual duke deklaruar se media kishte përdorur pretendimet kundër tij për të dëmtuar reputacionin e tij.

Sipas mediave të huaja, gjykimi i Depardieu po shihet si një moment kyç për industrinë franceze të kinemasë, e cila është akuzuar se ka qenë e ngadaltë – madje rezistente – për të marrë seriozisht denoncimet e grave për abuzime.

Një raport kritik i publikuar muajin e kaluar nga deputetë francezë doli në përfundim se dhuna seksuale dhe ngacmimi seksual janë ende “endemike” në industrinë e argëtimit në Francë, dhe se gratë dhe fëmijët vazhdojnë të jenë rregullisht viktima të abuzimeve.