Aktorët e Teatrit të Gjilanit që 7 muaj pa rroga, japin shfaqje çdo javë


Gazeta Express
12 Prill 2019 17:58

Aktorët e teatrit të Gjilanit punojnë pa rroga tash e 7 muaj. Kanë kaluar 100 ditë që trupa e aktorëve të teatrit të Gjilanit janë pa kontrata pune. Por, për ta komuna e Gjilanit ka premtuar zgjidhje.

Arbër Jashari

Në një bisedë për Gazetën Express drejtori i teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi, tha se janë ndarë paratë për t’i paguar aktorët si dhe nga e hëna ata priten të pajisen edhe me kontrata pune. Teatri i Gjilanit edhe pse aktiv me shfaqje, aktorët e këtij teatri nuk po paguhen me rregull. Janë 7 muaj që kur trupa teatrore ka marrë rrogë për herë të fundit.

Për Gazetën Express ka folur rreth kësaj çështje aktori i teatrit të qytetit Avni Shkodra, ai është shprehur se tash e 7 muaj nuk kanë marrë rroga, dhe kanë kaluar 100 ditë që trupa teatrore është pa kontrata pune. Ai është shprehur i revoltuar që komuna e Gjilanit nuk ka ndërmarrë as një hap të vetëm për zgjidhjen e problemit të teatrit dhe trupës teatrore, ani pse teatri është aktiv dhe aktorët japin shfaqje të rregullta për publikun gjilanas.

Komuna e Gjilanit që është përgjegjëse për menaxhimin e teatrit të qytetit për disa muaj nuk ka kryer obligimet ndaj aktorëve dhe punëtorëve të këtij teatri. Por, sipas tyre këto obligime do të kryhen ditëve në vijim. Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi. “Kanë ndarë mjete për të –paguar obligimet ndaj aktorëve. Edhe kontratat i kanë bërë gati gjatë javës së ardhshme prej të hënës do ti marrin”, tha Zyberi për Gazetën Express.

Ndryshe, për këtë çështje kanë reaguar shumë aktorë që janë pjesë e teatrit të Gjilanit dhe të jetës artistike në Kosovë.

Aktori i njohur kosovar Fatmir Spahiu përmes llogarisë së tij në Facebook, para dy ditësh ka shkruar se vendit tonë i duhet një ligj për teatrot. Përmes qëndrimit të tij më poshtë ai ka konkretizuar se si mund të funksionojë ky ligj.

“Kosovës i duhet një ligj i ri për teatrot. Një ligj, qe ministria ti merr nën ombrellë teatrot e qyteteve. Një ligj, qe detyron teatrot e financuara nga ministria që 20% të fondeve të veta t’i ndajë për produksionet private teatrore, sepse në këtë mënyrë do të zhvillohej një biznes që nuk është fare i njohur në Kosovë. Një ligj, që profesionin e aktorit të teatrit e bënë të dinjitetshëm dhe të nevojshëm në këtë shoqëri. Përndryshe sa është kështu duhet të ju thuhet gjeneratave të reja që ëndërrojnë me u marr me aktrim ta mendojnë një profesion tjetër. Sa nuk ndërron ligji, aktori i teatrit ka me u pagu me buxhet të lapsave dhe letrave të kompjuterit nëpër komuna”, ka përfunduar Spahiu. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart