Albian Ajeti e ka rrëfyer për mediat britanike historinë e familjes së tij, duke i përmendur sakrificat e luftës së fundit në Kosovë. Futbollisti kosovar ka folur më pas për fëmijërinë e tij, karrierën dhe për arsyen që e çoi ta zgjidhte Zvicrën para Kosovës dhe Shqipërisë
Albian Ajeti e ka treguar historinë e tij të dhimbshme të luftës në Kosovë para se familja e tij të shpërngulej për në Zvicër për një jetë më të mirë.
Futbollisti kosovar i ka zbuluar sakrificat e familjes së tij gjatë luftërave në Ballkan, përfshirë këtu edhe atë të fundit në Kosovë.
“Familja ime u detyrua të lëvizte drejt Zvicrës para se të fillonte lufta në Kosovë. Unë shkova në shkollë dhe më pas në akademinë e Baselit, ku nisa të merresha me futboll”, kujton 23 vjeçari për mediumin britanik “Daily Record”.
“Kjo ndodhi pasi nuk kishte mundësi të jetonim më në Kosovë. Nëse e imagjinoni se sa e vështirë ishte gjatë luftës, ishte e pamundur të qëndronim në vendin tonë. Prandaj, kjo ishte arsyeja se përse njerëzit shkuan në Zvicër dhe në vendet tjera”, vazhdoi Ajeti, përcjell Gazeta Express.
“Për mua, ishte paksa e lehtë të rritesha në Zvicër. Mendoj se shumë më vështirë ka qenë për prindërit e mi, pasi ata erdhën në Zvicër në një moshë kur nuk ishte e lehtë të mësoheshin gjëra të reja. Unë erdha me vëllezërit kur ishim shumë të rinj dhe ishte e lehtë të rriteshim duke u shkolluar, duke e mësuar gjuhën dhe duke luajtur futboll. Pra, nuk ishte edhe aq e vështirë për mua”, shpjegon Ajeti.
Përfaqësuesi zviceran ka folur edhe për klubin e zemrës së tij, Baselin, ku ishte rritur dhe ishte zhvilluar.
“Baselit i pëlqen të punojë me lojtarët shqiptarë nga Kosova, pasi ata kishin sukses të madh me ta. Mendoj se eksperienca ime në Basel ishte mjaft e mirë dhe e kalova krejt akademinë atje. Kjo është arsyeja se përse e pata besimin e klubit tim. Baseli është klubi më i madh në Zvicër dhe e ka njërën prej akademive më të mirë në Evropë”, vazhdoi Ajeti.
Ajeti i ka zhvilluar 10 ndeshje me Zvicrën, ndërsa vëllai i tij më i madh, Arlindi, ka zgjedhur të luajë për Shqipërinë.
Dhe, Ajeti, në një intervistë të dhënë më herët gjatë këtij viti, ka thënë se nuk është pishman që e zgjodhi Zvicrën para Kosovës dhe Shqipërisë.
“Prej nga vij unë, kjo është mjaft e rëndësishme për mua dhe për familjen time. Ne nuk e harrojmë historinë dhe ato që na kanë ndodhur. Janë disa pika të cilat nuk mund t’i harrojmë kurrë si familje. Dhe, mendoj se kjo është arsyeja se përse vëllai im vendosi të luante për Shqipërinë. Kjo zgjedhje e bën atë krenar. Ndërsa, për mua nuk është problem të luaj për Zvicrën”, shprehet Arlind Ajeti.
Ai e kaloi sezonin e fundit në West Ham United, ku nuk pati hapësira të mjaftueshme.
Tash i është bashkuar klubit skocez Celtic, me të cilin synon të arrijë suksese.
Ajeti ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me klubin e ri. /Gazeta Express/