Agjenda e plotë e vizitës: Bislimi sot në Beograd, por flet nesër - Gazeta Express
string(63) "agjenda-e-plote-e-vizites-bislimi-sot-ne-beograd-por-flet-neser"

Lajme

Gazeta Express

27/10/2022 7:02

Agjenda e plotë e vizitës: Bislimi sot në Beograd, por flet nesër

Lajme

Gazeta Express

27/10/2022 7:02

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, shkon nesër në Beograd, duke u bërë një prej zyrtarëve më të lartë të shtetit të Kosovës, që e ka vizituar kryeqytetin serb prej përfundimit të luftës.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se Bislimi nesër merr pjesë në një konferencë në Beograd, ku do të flasë për “Kosovën dhe Perspektivën Evropiane të Rajonit”.

Lexo Edhe:

“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, merr pjesë në Beograd, ditën e enjte në konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnike, në tryezën e diskutimit “Dialogu Diplomatik”, me temë “Kosova dhe Perspektiva Evropiane e Rajonit”, me fillim nga ora 17:00”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Bislimi do të qëndrojë në Beograd edhe ditën e premte, ku do të diskutojë për raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Shkuarja e Bislimit në kryeqytetin serb është përcjellë përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë dhe Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë. Në e-mailin e datës 26 tetor, Zyra Ndërlidhëse e Serbisë konfirmon se është aprovuar kërkesa për shkuarjen e Bislimit në Konferencën e Sigurisë në Beograd. Aprovimi është nënshkruar nga Dejan Paviçeviq, shef i Zyrës Ndërlidhëse serbe në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Bislimi do të hyjë në Serbi përmes pikës kufitare të Merdarës, ndërsa do të jetë i shoqëruar nga dy këshilltarë të tij, Sebastien Gricourt dhe Klisman Kadiu. Sebastien Gricourt është këshilltar i jashtëm i Bislimit, kurse Kadiu thuhet se ka pasaportë të Shqipërisë.

Sipas agjendës së Belgrade Security Conference (BSC), Bislimi të premten do të marrë pjesë në panelin me temën “Kosova dhe Serbia – Shmangia e rrugës pa dalje”. Diskutimi do të nis në orën 18:15, derisa përfundon në orën 19:15.

Bislimi është paraparë të vendoset në njërin nga hotelet më të famshme të Beogradit (emër i njohur për redaksinë).

Nesër në ditën e parë të BSC-së do të flasë edhe publicisti kosovar, Veton Surroi. Ai do të jetë pjesë e panelit ku flitet për Ballkanin e Hapur dhe Procesin e Berlinit.

Surroi ka kohë që është duke lobuar për t’u bërë Sekretar i Përgjithshëm i RCC-së, por ai është duke u bllokuar nga Serbia. Për zhbllokimin e situatës rreth emërimit të tij tashmë është duke u negociuar në nivele tejet të larta dhe mësohet se Surroi këtë vizitë në Beograd do ta shfrytëzojë për lobim edhe për vete.