Agjencia “Equifax” dënohet me 700 milionë dollarë për rrjedhjen e të dhënave


Gazeta Express
22 Korrik 2019 14:55

Agjencia “Equifax” është pajtuar që t’i paguajë deri 700 milionë dollarë si pjesë e një marrëveshje me autoritetin rregullativ të Shteteve të Bashkuara pas publikimit ilegal të të dhënave në vitin 2017.

Komisioni Federal për Tregti ka vlerësuar se firma me bazë në Atlanta ka dështuar t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm për ta siguruar rrjetin e vet.

Të dhënat e të paktën 147 milionë banorëve ishin prekur nga ky incident.

Së paku 300 milionë dollarë do të paguhen për shërbimet kundër vjedhjes së identitetit dhe shpenzimet tjera që kanë të bëjnë me viktimat e kësaj shkeljeje.

Kjo shumë mund të shkojë deri në 425 milionë dollarë, nëse kërkohet nga kompania që t’i mbulojë edhe shpenzimet e konsumatorëve.

Pjesa tjetër e të hollave do të merren nga 50 shtetet e ShBA-së dhe Byroja për Mbrojten Financiare të Konsumatorëve.

Në mesin e të dhënave të vjedhura nga hakerët janë së paku 147 milionë emra dhe data të lindjeve, rreth 145.5 milionë numra të sigurimit shoqëror dhe 209 mijë numra të kartelave bankare dhe data të skadimit të afatit të tyre.

Kjo firmë është dënuar më parë me 500 mijë funte edhe nga Zyra e Komisionerit për Informim e Britanisë së Madhe për shkak të dështimit në mbrojtjen e të dhënave personale të 15 milionë qytetarëve britanikë, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart