Agim Aliu: Faleminderit ferizajas, për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe besimin e patundur - Gazeta Express
string(89) "agim-aliu-faleminderit-ferizajas-per-mbeshtetjen-e-jashtezakonshme-dhe-besimin-e-patundur"

Zgjedhjet Lokale 2021

Gazeta Express

15/10/2021 20:34

Agim Aliu: Faleminderit ferizajas, për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe besimin e patundur

Zgjedhjet Lokale 2021

Gazeta Express

15/10/2021 20:34

Përmes një video adresimi, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu falënderoi qytetarët e Ferizajt për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe besimin e patundur në këtë garë zgjedhore.

Ndër të tjera, Kryetari Aliu u shpreh:

“Tash kur kanë mbetur edhe pak orë deri në ditën e votimit, dua të shpreh disa fjalë zemre për ju, mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme e besimin tuaj të patundur në vizionin për Ferizajn që duam. Kjo fushatë zgjedhore nuk ishte e zakonshme. Ishin masat kufizuese që na mbajtën larg njëri-tjetrit fizikisht, por megjithatë, ishim afër e të lidhur me njëri-tjetrin. Ishte Ferizaj që na bashkoi, ishte fushata që u krye jo nga ne, por nga ana juaj si asnjëherë më parë në historinë tonë politike, ajo që më bënë të jem falënderues e mirënjohës për ju. Desha shumë të takoj mjekët, infermierët, mësimdhënësit, ndërmarrësit, artistët, sportistët, burra e gra të çdo profesioni, të rinjtë e të moshuarit, por situata pandemike na pamundësoi takimin tonë të drejtpërdrejt. Mbi të gjitha është shëndeti, e këtë parim e kam zbatuar. Asgjë nuk është më e shenjtë dhe më e shtrenjtë se besimi. Besimin e qytetarëve, gjithnjë e kam përkthyer në përgjegjësi e bashkëndjesi ndaj tyre. Janë miliona euro investime që po e presin Ferizajn në 1460 ditët e ardhshme, projekte krejt të reja e vazhdim me ritëm edhe më të lartë të transformimit të madh të Ferizajt. Është e gjelbërta, kryefjala jonë për katër vitet e ardhshme si dhe projekte të shumë fushave, të cilat tashmë i kam prezantuar, janë të njohura për ju dhe kanë mbështetjen tuaj të fuqishme bashkëqytetarë. Gjuha jonë ka një fjalë magjike. Faleminderit!

 Faleminderit juve të rinj e të moshuar, burra e gra të çdo moshe e profesioni, që më keni dhënë privilegjin të kem besimin e përkrahjen tuaj, për ta bërë më të mirë Ferizajn që të gjithë e duam! Faleminderit çdo ferizajasi e ferizajaseje që mbi partitë, përtej ngjyrave e sloganeve politike, ka ndarë mendjen, duke vendosur në radhë të parë Ferizajn e të mirën e dëshmuar me punë. Të dielen e 17 Tetorit, fitojnë qytetarët, jo kryetarët. Ndershmëria, dinjiteti, guximi, puna e ndërgjegja e pastër, profesionalizmi e energjitë e reja, janë vlerat tona të dëshmuara. Andaj të dielen, dilni të votoni ju, familja dhe shoqëria juaj. Për ju, për familjen tuaj, për Ferizajn, për vlerat që ndajmë bashkë. Ju faleminderit!”