Agim Ademi pyetet se sa para kanë hyrë në FFK nga shitja e biletave prej vitit 2014


load
Gazeta Express
18 Tetor 2019 23:30

Nga marsi i vitit 2014, kur FIFA e kishte lejuar Kosovën të zhvillojë ndeshje miqësore, deri në tetorin e vitit 2019, Federata e Futbollit e Kosovës ka qenë organizatore e 22-23 ndeshjeve të Kombëtares, të zhvilluara fillimisht në Mitrovicë, pastaj në Shkodër, së fundmi në Prishtinë, e kohë pas kohe edhe në disa vende evropiane, shkruan Gazeta Express.

Por, mbetet e paqartë se sa të hyra kishte në FFK nga shitja e biletave. Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, është pyetur rreth kësaj edhe në emisionin sportiv “Favorit” në T7. Ai tha se të gjitha janë në pasqyrat financiare të publikuara në faqen zyrtare të FFK-së. Por, në raportet e auditorit nuk është e qartësuar saktësisht apo ndaras të hyrat nga biletat.

“Ajo është e ditur sepse është në të gjitha raportet financiare, vit për vit. Në çdo vit, në çdo raport financiar ekzistojnë të hyrat gjithkah, quhen “të hyra vetanake të Federatës së Futbollit”. Aty përfshihen të gjitha këto”, ka thënë Ademi në emisionin “Favorit”.

“Këto mund të zbulohen lehtë, mund të llogariten lehtë sepse dihet numri i saktë i biletave. Nuk jam i sigurt për këtë ndeshjen kundër Haitit, që ka qenë e para, por ajo gjendet në faqen e Federatës, në të gjithë të hyrat e Federatës në raporte dhe të gjitha shpenzimet”, tha ai.

“Në Shkodër nuk kemi punuar me leverdi, fitore. Por, sigurisht kemi operuar me zero ose me humbje, pak humbje sepse kemi pasur shumë shpenzime – udhëtimi, qëndrimi në hotel e gjithçka”, ka thënë Ademi.

Çështja e biletave të Kombëtares së Kosovës është bërë temë në Kosovë sa që e ka shtyrë edhe Prokurorinë e shtetit në ndërhyjë me nisje të hetimeve. Kjo për shkak se qytetarët ankohen se nuk po mund assesi të blejnë bileta dhe kanë shprehur dyshime për dallavere rreth shitblerjeve të biletave.

 “Biletë kërkuan 183 mijë tifozë të Kosovës për një ndeshje. Fatkeqësia më e madhe që neve po na bënë të ndihemi keq është se për shkak të kapacitetit të ‘Fadil Vokrrit’ s’kemi mundësi t’u japim të gjithëve bileta”, ka thënë numri 1 i FFK-së.

“Prej 13,500 ulëseve në “Fadil Vokrri”, rreth 10 mijë e 200 apo 500 dalin në shitje në sistemin online. Pjesa tjetër u takon tifozëve të ekipit mysafir, zyrtarëve e mysafirëve e një pjesë rezervohet nga UEFA dhe lihen ulëset zbrazur për raste evakuimi”, shtoi Ademi.

“Nuk ka mënyrë më të sofistikuar për shitjen e biletave sesa përmes sistemit online. Edhe pse mbi 10 mijë bileta janë në shitje, sistemi mund të bllokohet nga rreth tre mijë persona, pasi që ata mund t’i rezervojnë nga tre bileta secili. Për këtë arsye të gjitha biletat mund të rezervohen brenda pak minutave”, sqaroi ai.

“Ne si Federatë e mbështesim hetimin e Prokurorisë Speciale të shtetit dhe çfarëdo tentimi për ta bërë procesin edhe më të drejtë. Sa i përket biletave që dalin në tregun e zi, ata persona duhet të ndalen nga policia dhe organet e rendit”, vazhdoi Ademi. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart