Aferat me rrugët, KLSH: Si u rrit kosto e aksit Milot-Balldre


load
Gazeta Express
22 Tetor 2019 16:06

Kontrolli i Lartë i Shtetit nënvizon se klasifikimi i ndërtimit të rrugës Milot-Balldren si autostradë është i pajustifikuar bazuar në trafikun e parashikuar në studimin e fizibilitetit, dhe kjo ka rritur kostot nga 61.5 milionë euro në 140 milionë euro.

Në total ky koncesion do të kushtojë 213.7 milionë euro pa tvsh.

Sipas kontratës, rruga do të jetë e kategorisë maksimale A, e thënë ndryshe autostradë, por Kontrolli i Lartë i Shtetit shprehet se standardet kombëtare të projektimit të rrugëve rekomandojnë rrugë të kategorisë II/C, e quajtur interurbane kryesore. Kjo ka çuar në rritje të fortë të kostove, sipas KLSH.

“Ky ndryshim i kategorisë së rrugës A dhe II/C i shoqëruar nga ndryshimet e tjera tekniko-ekonomike, kanë sjellë një rritje të kostove (nga 61.5 milionë euro në 140 milionë euro, në gjykimin tonë të panevojshëm për këtë investim, në raport me vëllimin e projektuar të trafikut dhe kushteve teknike të studimit të fizibilitetit, në të cilin mbështetet kjo kontratë”, shkruhet në raport.

Problemi tjetër në këtë koncesion, por dhe me koncesionin e Orikum-Dukat, sipas KLSH, janë paratë që buxheti i shtetit do i paguajë dy kompanive për punë që nuk ekzistojnë. Bëhet fjalë për fonde, të cilat janë llogaritur si hua që do të merren nga koncesionarët, por në fakt janë para të panevojshme duke pasur parasysh grafikun e punimeve. Interesat e këtyre fondeve përtej nevojave i faturohen më pas buxhetit të shtetit. Për të dy kontratat shuma shkon në 10 milionë euro. KLSH thotë se nënshkrimi i kontratave në euro ekspozon buxhetin e shtetit në rreziqe nga humbjet e kursit të këmbimit. Nga studimet e fizibilitetit është vërejtur nga KLSH mos argumentimi se pse është përzgjedhur forma e koncesionit për ndërtimin e rrugëve, ndërkohë që mungon analiza financiare për normën e kthimit të investimit.

“Mungesën e analizës financiare në përcaktimin e normës së kthimit për kapitalin privat për të vënë në dispozicion të projektit, duke ndikuar në pengesat e buxhetit të shtetit ndaj partnerit privat, si mos parashikimin e kostove të shpronësimeve, si kosto të domosdoshme për kryerjen e investimit, fakt që rrit akoma më shumë vlerën e koncesionit”, shkruhet në raport.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart