Administrata e presidentit Donald Trump është duke kërkuar partner të rinj për ndërtimin e sistemit të mbrojtjes raketore “Golden Dome”, teksa marrëdhëniet e tensionuara me Elon Musk po vënë në rrezik dominimin e SpaceX në këtë program.
Sipas burimeve të Reuters, Pentagoni ka filluar të afrojë kompani të tjera si Project Kuiper të Amazon-it, si dhe gjigantët e mbrojtjes Lockheed Martin, Northrop Grumman dhe L3Harris, duke përjashtuar SpaceX, lëvizje kjo që vjen pas një krize mes Trump dhe Muska që kulmoi me një përplasje publike në rrjete sociale.
E ndërkohë që SpaceX mbetet favorit për kontratat e lëshimit satelitor, pjesëmarrja e saj në projektin 175 miliardë dollarësh duket jo shumë e mundur.
Dihet se projekti kërkon një rrjet të madh satelitësh të orbitës së ulët për të ndërtuar një mburojë të ngjashme me Iron Dome të Izraelit, por në përmasa shumë më të mëdha. E deri tani, raportohet se kompania Project Kuiper, që ka lëshuar vetëm 78 nga 3,000 satelitët e planifikuar, po shihet si alternativë, ndërkohë që startup-e të reja si Stoke Space dhe Rocket Lab janë ftuar të konkurrojnë për lëshimet e ardhshme.
Duket se përplasja Trump-Musk ka ndryshuar krejtësisht skenën, pasi edhe pse disa kompani si Palantir dhe Anduril, me lidhje të forta me Musk, ishin fillimisht në pozita të favorshme, krijimi i partisë së re “America Party” – një lëvizje politike teknologjike dhe qendrore që synon të sfidojë republikanët që mbështesin axhendën fiskale të Trump – ka përmbysur planet fillestare.
Megjithatë në lidhje me çështjen Musk ka deklaruar se SpaceX nuk ka aplikuar për kontratë dhe se do të përqendrohet vetëm te Marsi.