Abdixhiku për rritjen e tarifës energjetike: Të enjten në seancë do ta kundërshtojmë këtë paralajmërim skandaloz - Gazeta Express
string(111) "abdixhiku-per-rritjen-e-tarifes-energjetike-te-enjten-ne-seance-do-ta-kundershtojme-kete-paralajmerim-skandaloz"

Abdixhiku për rritjen e tarifës energjetike: Të enjten në seancë do ta kundërshtojmë këtë paralajmërim skandaloz

Lajme

Gazeta Express

18/01/2022 19:14

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka bërë të ditur se do të kundërshtojnë paralajmërimin e sotëm të Qeverisë sa i përket propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritje të tarifave të rrymës elektrike.

Abdixhiku ka thënë se presin që çdo deputet i përgjegjshëm në Kuvend ta kundërshtojë këtë vendim, duke thënë se nuk mund ta lejojnë një dëm të tillë.

Lexo Edhe:

“Në fillim thanë s’kemi krizë. Më pas i dhanë 100 milionë euro për blerje të energjisë. Para të buxhetit të shtetit që mund t’i përdornim shumë më mirë. Tani kemi edhe krizë, edhe 100 milionë më pak, edhe shtrenjëtim të energjisë.

Papërgjegjësia kushton. Reagimi i vonshëm kushton. Dhe dy javë nga sot, këtë padituri e papërgjegjësi të Qeverisë, përtej 100 milionëshit të djegur tashmë, do ta paguajnë më shumë se gjysma e familjeve kosovare në faturat e tyre mujore të energjisë. Për çdo muaj në vijim, një e treta e pagës mesatare në Kosovë do të shkojë për energji. Tani kjo është krizë”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Ai tha se ky është shtrenjtimi më i lartë i energjisë elektrike në gjithë historinë e Kosovës.

“Përveç se po paguajmë shtrenjtë, përveç se familjet po diskriminohen pa ndonjë kriter logjik, nuk ka as plan e as ide për një zhvillim strategjik afatgjatē energjetik. Vendime të vonshme dhe zgjidhje skandaloze – ky është epilogu i paaftësisë. Jam i bindur, natyrisht, se edhe këtë herë do të gjejnë një fajtor diku në 20 vjet. Por s’ka gjë që mund ta mbulojë këtë jokompetencë. S’ka gjë që mbulon barrën financiare që po ja vënë familjeve kosovare”.

Kujtojmë se ekzekutivi ka bërë me dije se do t’i japë 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë për qytetarët dhe bizneset. Por, njoftimi i Qeverisë ka ngjallur kritika të shumta pasi u mor vesh se qytetarëve që shpenzojnë mbi 600 kWh në muaj mund t’u shtrenjtësohet fatura ndoshta dyfish nga shkurti.