“AAK’ja parti rajonale”, 13 nga 14 deputetët që siguroi vijnë nga Dukagjini


Gazeta Express
8 Nëntor 2019 20:55

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e fundit mori rreth 11.57% të votave, me të cilat siguroi 14 deputetë në Kuvend, 13 nga të cilët janë nga zona rajonale e Dukagjinit. Njohësit e çështjeve politike po vlerësojnë që AAK-ja nuk po arrin të bëhet parti nacionale.

Ky tubim ishte veç një pjesë e fushatës elektorale në Deçan të cilën po e organizonte Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vite më parë.

Shumë vite pas, rrethanat politike kanë ndryshuar, por figurat e partisë mbeten të njëjta.

Lista e kandidatëve për deputetë të koalicionit AAK-PSD në zgjedhjet nacionale të 6 tetorit ofronte plot 110 emra.

Por vetëm 14 prej tyre arritën që të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Përveç që do të jenë deputetë, të gjithë këta anëtarë të AAK-së kanë diçka të përbashkët, ata vijnë nga Dukagjini.

Nga kjo anë është vet bartësi i listës, Ramush Haradinaj.

Madje gjashtë kandidatët fitues të AAK-PSD kanë të njëjtin qytet të lindjes.

Ramush Haradinaj, Daut Haradinajn, Rasim Selmanaj, Shkumbin Demaliaj, Time Kadriajn vijnë nga Deçani. Të njëjtit vendase e kanë edhe Natyra Kuçin nga PSD.

E fituesit e kësaj partie vijnë edhe nga Gjakova. AAK-në nga ky qytet e përfaqësojnë Teuta Haxhiu e Pal Lekaj.

As Peja nuk i ka lënë pa karrige bashkëvendësit e saj. Pejanët do të përfaqësohen në Kuvend me Ali Berishën e Arbër Tolajn, Gazmend Syla.

Nga Istogu është zgjedhur Bekë Berisha e Donika Kadaj-Bujupi.

E njohësit e çështjeve politike, po e cilësojnë një fenomen të tillë si një sëmundje të partisë. Rasim Alija thotë që AAK nuk po arrin që të bëhet një parti e nivelit nacional.

“Aleanca nuk po mundet me kalu atë sëmundjen që e ka, sëmundja e aleancës është thjesht një parti rajonale, kemi parasysh faktin që të gjithë deputetët vijnë nga rajoni i Dukagjinit”, ka thënë Alija.

Sipas Rasim Alijajt, votuesi i Aleancës dallon nga votuesit e subjekteve të tjera.

“Votuesi i aleancës është më militant sesa subjketet e tjera politike lidhet për individin dhe liderin kjo ka ndodhë me rizgjedhjen e tyre”, ka thënë Rasim Alijaj.

Në mesin e 14 deputetëve të zgjedhur nga koalicioni AAK-PSD është edhe Albena Reshitaj e cila vije nga Suhareka.

Te fundit


Kthehu lart