A u takua Agim Veliu me Sami Lushtakun, flet nënkryetari i LDK-së


Gazeta Express
23 Korrik 2019 16:21

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, që ka shfaqur ambicie për të marrë postin e të parit në këtë parti, u raportua se ka pasur një takim të fshehtë me një nga fytyrat më të rëndësishme në PDK, Sami Lushtakun. Në një bisedë për Gazetën Express, këto lajme Veliu i ka quajtur shpifje, duke thënë se asnjëherë nuk është takuar me ish-kryetarin e Komunës së Skenderajt.

Mediat kanë raportuar sot se kryetari i Komunës së Podujevës, që mban edhe postin e nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu, është takuar me ish-kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtakun, që ka ndikim të madh në Partinë Demokratike.

Sipas një shkrimi të publikuar në Gazeta Blic, ky takim u zhvillua në njërin nga restorantet më të njohura në këtë komunë, e si qëllim që ky të mbahej i fshehtë, në kohën kur pretendohet se këta të dy u panë, lokali u mbyll për klientë, e shërbimin e bëri vetë pronari.

Gazeta Express për ta pyetur për këtë takim e ka kontaktuar nënkryetarin e LDK-së. Agim Veliu po thotë se një lajm i tillë është krejtësisht shpifje.

“Është shpifje e llojit të vet, unë nuk takohem me të edhe s’jam takuar kurrë (me Sami Lushtakun)”, tha Veliu, derisa ka thënë se gjithçka që është shkruar për të e për ish-kryetarin e Skenderajt është gënjeshtër.

“Unë ka një vit a më shumë që as nuk kam qenë në restorant, sot gjatë tërë ditës kam pasur takime me palë”, tha nënkryetari i LDK-së.

Veliu ka treguar haptazi se ka pretendime për të garuar me tre gusht për të parin e LDK-së.

Ky i fundit ishte akuzuar për lidhje me PDK-në kur ishte prishur koalicioni VLAN./GazetaExpress

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart