A po i njollos Vjosa Osmani dokumentet e Kuvendit për të përfituar politikisht? - Gazeta Express
string(78) "a-po-i-njollos-vjosa-osmani-dokumentet-e-kuvendit-per-te-perfituar-politikisht"

Gazeta Express

18/05/2020 17:04

A po i njollos Vjosa Osmani dokumentet e Kuvendit për të përfituar politikisht?

Gazeta Express

18/05/2020 17:04

Kryeparlamentarja i ka dorëzuar Gjykatës Kushtetuese dokumentet, në të cilat mund të mbështetet kjo gjykatë për vendimin rreth mandatimit të kryeministrit. Vetëm se, Osmani në letër zyrtare ka hedhur dyshime mbi vërtetësinë e këtyre dokumenteve. Me këto dyshime të Osmanit, sipas njërit nga hartuesve të Kushtetutës, mund të pamundësohet përdorimi i tyre. Ai në fakt thotë se në fillim është trajtuar mundësia që e drejta e formimit të qeverisë t’i jepet edhe partisë së dytë apo të tretë. Kjo mund të gjendet në dokumentet në vërtetësinë e të cilave dyshon Kryeparlamentarja. Mirëpo, si duket Osmani e bindur që ato dokumente flasin kundër “ideve të njëjta të saja dhe të Kurtit” po synon t’i njollosë ato për t’i bërë të papërdorshme.

Vjosa Osmani në konferencën për media, tregoi se sa afërsi ka me kryeministrin  Albin Kurti, e këtë fakt, sipas Osmanit, e dinë edhe zogjtë e malit.

Lexo Edhe:

Kryeparlamentarja Osmani, me qëndrime politike të afërta me Kurtin e larg atyre të LDK’së, po vazhdon punën në krye të Kuvendit.

Vetë ajo në komentin që ia ka dorëzuar Gjykatës Kushteutese për çështjen e dekretit për mandatimin e bashkëpartiakut të saj, Avdullah Hotit, për kryeministër, ka kërkuar që ai dekret të shpallet i pavlefshëm.

Ndërsa në cilësinë e kryekuvendares, Osmani i ka kryer një ‘shërbim’ Gjykatës Kushtetuese. Ajo ia vënë Kushtetueses në dispozicion dokumentet e quajtura “Punime përgatitore” me rastin e hartimit të Kushtetutës së Kosovës.

Osmani ia ka dërguar Administrata e Kuvendit të Kosovës, pas kërkesës së Kushtetueses, pasi Gjykata synon t’i ketë udhërrëfyes me rastin e shqyrtimit të çështjes së dekretit presidencial për mandatarin e qeverisë.

Por Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani i ka dërguar sot një letër Kryetares së Kushtetutës, Arta Rama-Hajrizi duke ia bërë të qartë se institucioni që udhëheq ajo nuk është autor i këtyre dokumenteve, as që i ka pasur ndonjëherë në posedim.

Më tej, Osmani ka thënë se Kuvendi nuk mban asnjë përgjegjësi lidhur me vërtetësinë e dokumenteve të dërguara, teksa ka përmendur mundësinë që të ketë pasur ndërhyrje në to.

“Kuvendi nuk mund të vërtetojë autenticitetin e këtyre dokumenteve dhe as nëse ndonjëherë ka pasur ndërhyrje në to; Kuvendi nuk mund të vërtetojë se kush i ka poseduar këto dokumente para se ato të dërgoheshin në Arkivat e Kosovës, si dhe nëse gjatë këtyre viteve ka pasur ndërhyrje në to”, shkruan mes tjerash në letrën e Osmanit për të cilën ka shkruar sot Koha.

Ajo ka shtuar se Kuvendi i Kosovës nuk i ka poseduar ndonjëherë këto dokumente, deri më 14 maj 2020, kur një kopje i është dhënë nga Agjencia Shtetërore e Arkivave. Ato nuk janë publikuar asnjëherë në Gazetën Zyrtare ose në burime tjera zyrtare.

Sipas asaj që ka thënë kryeparlamentarja, Kuvendi ka vepruar vetëm si lehtësues komunikimi ndërmjet Arkivit të Kosovës dhe Gjykatës Kushtetuese.

Koha ka biseduar me njërin prej ekspertëve qe ka marrë pjesë në hartimin e Kushtetutës. Sipas tij, në draftet fillestare është diskutuar neni që i referohet mandatarit të qeverisë. Ai ka thënë se në fillim është trajtuar mundësia që e drejta e formimit të qeverisë t’i jepet edhe partisë së dytë apo të tretë. Por, sipas tij heqja e përgjegjësisë nga ana e Kuvendit për autenticitetin dhe vërtetësinë atyre dokumenteve dhe mos publikimi i tyre në Gazetën Zyrtare ia pamundëson Gjykatës Kushtetuese që të thirret në to me rastin e nxjerrjes së aktgjykimit.