A po hetohen 40 pjesëtarë të Policisë së Kosovë në veri?- flet drejtori Qalaj


Gazeta Express
13 Prill 2019 15:31

Gazeta serbe ‘Blic’, shkruan se autoritetet në Prishtinë janë duke hetuar rreth 40 pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët shërbejnë në veri të Republikës së Kosovës, për përfshirje në aktivitete joligjore.

Siç pretendon gazeta serbe, kjo lëvizje e Prishtinës po bëhet me qëllim të pastrimit të strukturave të Policisë së Kosovës në veri.

Pjesë e këtij grupi që po hetohet thuhet se ka edhe policë të nacionalitetit serb.

 “Për momentin nuk ka numër të saktë për numrin e serbëve të cilët janë të përshirë në këtë hetim”, shkruan gazeta serbe, transmeton Gazeta Express.

Gazeta Express lidhur me këtë çështje ka kontaktuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalajn, i cili thotë se është në dijeni për raportime të tilla, por që nuk ka dashur të komentoj me tutje.

“Nuk kam ndonjë koment’, ka thënë Qalaj shkurt për Express.

Megjithatë për një ristrukturim të mundshëm të Policisë së Kosovës në veri të Republikës së Kosovës, Qalaj e kishte paralajmëruar një vit më parë gjatë kohës sa ishte në cilësinë e Drejtorit të Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës.

Në një letër që atë kohë ishte siguruar nga Kosovapress, Qalaj u kishte shkruar krerëve më të lartë të Policsë në veri, ku ngritur shqetësime për përformancën e dobët të policisë në veri, dhe kishte paralajmëruar gjithashtu edhe shkarkime të eprorëve të policisë në këtë pjesë.

Sipas këtij raporti të publikuar në majin e vitit të kaluar, ishte theksuar se incidentet e rënda në veri ishin shtuar, ndërsa për asnjërën nga rastet nuk ishte zbuluar autori apo arrestuar.

Në këtë raport të shkruar në dy gjuhë, shqipe dhe serbe, ishte potencuar se gjendja e tanishme është shumë e papranueshme dhe nuk do të tolerohet më.

“Kjo dukuri duhet të ndalet”, thuhet më tej në këtë raport, në mënyrë që qytetarët në veri të fillojnë të ndjehen të sigurt.

“Askush nuk mund të mbaj një pozicion të caktuar në Policinë e Kosovës në rast se nuk ka rezultate. Rezultatet janë ato që na mbajnë të gjithëve”, thuhet mes tjerash në këtë raport, të dërguar në maj të vitit 2018 dhe që mban firmën e Drejtorit të Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës, Rashit Qalaj./B.Veliu/GazetaExpres/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart