A mund ta ndryshojnë fatin e Kosovës, Kurti dhe Osmani?


load
Gazeta Express
31 Tetor 2019 20:13

Nga Alon Ben-Meir dhe Arbana Xharra

Një ditë e re politike po gëdhinë në Kosovë – shteti më i ri në Evropë, por me shumë probleme. Në 20 vitet e fundit u dëmtuan nga qeverisja e keqe, papunësia e lartë dhe korrupsioni i përhapur brenda dhe jashtë qeverisë.

Ata që dikur luftuan me guxim për lirinë e vendit, nuk arritën të sigurojnë një demokraci funksionale të aftë për të adresuar me përgjegjësi aspiratat e popullit.

Në udhëtimin e tij të parë në Kosovë pas përfundimit të luftës së vitit 1999, në mes të Kosovës dhe Serbisë, presidenti amerikan Bill Klinton iu drejtua turmës shqiptare në Kosovë duke iu thënë: “Ne fituam luftën. Por dëgjoni: Vetëm ju mund të fitoni paqen. Koha për luftime ka kaluar”.

Sidoqoftë, për fat të keq, ata që luftuan me force, me mbështetjen e NATO-s dhe fituan luftën kundër Serbisë, kanë humbur rrugën e tyre.

Në vend që të përqendroheshin në atë që është më e mirë për vendin, ata u përqëndruan në ato që u shërbenin më mire interesave të tyre personale. Kështu ata përfunduan duke humbur besimin e publiku, si rezultat humben zgjedhjet me 6 tetor.

Dy fituesit kryesorë janë partia e majtë-nacionaliste Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti, e cila doli e para duke fituar 25.6 përqind të votave, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e qendrës së djathtë në krye me Isa Mustafë, megjithëse Vjosa Osmani drejtoi fushatën dhe fitoi  24.9 përqind.

Humbësi më i madh është Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka qenë në pushtet që nga viti 2007, aktualisht e udhëhequr nga Kadri Veseli. Udhëheqësit e kësaj partie ishin të zënë me pasurimin e vetës duke i injoruar aspiratat e bashkëqytetarëve të tyre.

Publiku ëndërroi të ishte i lirë, i sigurt dhe i prosperuar pas një lufte tmerruese që u shkaktojë aq shumë dhimbje, vuajtje, humbje jete dhe shkatërrim të madh. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare treguan qartë se njerëzit janë të lodhur dhe duan ndryshim – dhe ata e dëshirojnë këtë tani.

Pavarësisht mungesës së përvojës së tyre në qeverisje, drejtuesit e rinj, Z. Kurti dhe Znj Osmani, janë vizionarë dhe kuptojnë gjendjen dhe nevojat e njerëzve të tyre.

Edhe pse ata nuk mund të kenë, nga tani, një plan të artikuluar plotësisht socio-politik dhe të zhvillimit ekonomik, ata kanë potencialin për t’i shërbyer më së miri interesave të vendit të tyre.

Ata nuk janë të  korruptuar dhe janë të përkushtuar të ndryshojnë të ardhmen e vendit të tyre , i cili përballet me probleme të shumta dhe të thella, si të brendshme  ashtu edhe të jashtme.

Reagimet ndaj ndryshimit drastik të skenës politike në Kosovë, janë nga më të ndryshmet. Astrit Gashi, analist politik, shpreson se përkundër skepticizmit mbizotërues, qeveria e re do të ndikojë në ndryshime të rëndësishme. Ai tha, “Unë pres që skena e re politike do ta largojë kulturën e ngulitur të pandëshkueshmërisë për politikanët që kanë shkelur ligjin. Unë gjithashtu pres që ligji t’i trajtojë të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë. “

Florian Qehaja, drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (KCSS), pret disa ndryshime por sipas tij  jo të mëdha. “Ekziston një lodhje e përgjithshme shoqërore”, tha ai, “e cila është grumbulluar për shkak të elitës politike të korruptuar, si dhe të rritjes së populizmit në Perëndim … Unë pres disa ndryshime minimale nga këto zgjedhje.”

Dhe ka individë, sikurse  Rron Gjinovci, analist politik, i cili ka dyshimet e tij duke thënë se,  “diskursi i tyre (Kurtit dhe Osmanit) është plotësisht i paqartë, me mungesë saktësie dhe me konotacion populist të gjërë. Kjo më bind se ndryshimi do të jetë simbolik dhe formal… ”

Pavarësisht nga papërvoja e liderëve të sapozgjedhur dhe problemet e pakapërcyeshme me të cilat përballet vendi, një ndryshim në nisje është thelbësor para se vendi të bëhet një shtet i dështuar.

Por, duke i gjykuar ata bazuar në personalitetin e tyre, përvojat dhe angazhimin për të ndikuar në një ndryshim pozitiv, ata sigurisht që meritojnë mbështetjen e publikut së bashku me të gjitha institucionet publike që kanë aksione serioze në suksesin e tyre, por më e rëndësishmja për mirëqenien e ardhme  të vendit.

Për këtë arsye, posa të formojnë qeverinë e re, Kurti dhe Osmani duhet të fillojnë me një plan nacional praktik që mund të zbatohet gjatë mandatit të tyre të parë. Ata duhet të mbajnë në mend se, ata do të përballen me; a) rezistencë nga burokratët që kanë interesa në sistemin aktual të korruptuar, b) vështirësi që burojnë nga mungesa e burimeve njerëzore dhe financiare, dhe c) cinizëm publik dhe mungesë serioze e besimi te zyrtarët qeveritarë.

Dy partitë kryesore mund të mos pajtohen me gjithçka, por ata bien dakord për pjesën më të madhe të asaj që po e mundon vendin, të cilin ata duhet ta adresojnë në mënyrë sistematike, të qëndrojnë gjatë, të demonstrojnë përgjegjshmëri dhe transparencë, dhe të mbajnë premtimet që i bënë publikut.

Së pari, ata duhet të ftojnë pakicat etnike së bashku me parlamentarët serbë, të cilëve u garantohen 10 vende në parlament, për t’u bashkuar me qeverinë. Kjo në vetvete do të tregojë synimin e udhëheqësisë së re për të formuar një qeveri koalicioni që përfaqëson njerëzit pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Edhe pse serbët mund të refuzojnë të hyjnë në qeveri, është e rëndësishme që Z. Kurti dhe Znj Osmani të demonstrojnë se serbët e Kosovës janë pjesë integrale e popullatës, dhe se ata kanë një vend në qeveri.

Së dyti, ata duhet ta kenë me prioritet zhvillimin ekonomik, e cila është thelbësore për krijimin e vendeve të punës dhe mundësi për rritje. Duke pasur parasysh se burimet financiare janë të pakta, qeveria duhet ta bëjë atë të favorshëm që investitorët e huaj të investojnë në sektorin privat. Për më tepër, përveç kredive të dhëna nga FMN dhe Banka Botërore me projekte specifike, SH.B.A. dhe BE do të jenë sigurisht të hapura për të siguruar ndihmë të mëtejshme financiare me kusht që paratë të shpenzohen për projekte me transparencë dhe kompetencë. Megjithatë, fondet duhet të jepen në mënyrë graduale dhe të korrespondojnë me përparimin që bëhet.

Së treti, ata duhet të kërkojnë një zgjidhje për konfliktin me Serbinë që nuk varet nga çështje apo shqetësime të tjera vendase. Si SH.B.A ashtu edhe BE duan një fund të konfliktit, dhe duke pasur parasysh imperativin e mbështetjes së tyre ekonomike dhe politike, qeveria e re nuk mund të hedhë poshtë ato që ata besojnë se janë në interesin më të mirë të Kosovës. E rëndësishme për qeverinë e re është të bëjë një gjest të vullnetit të mirë drejt Serbisë duke hequr menjëherë tarifën 100% të vendosur për importet e mallrave serbe. Qeveria duhet ta sqarojë se është e gatshme të hyjë në negociata me mirëbesim për të zgjidhur konfliktin, i cili as nuk mund të zgjasë pafundësisht.

Së katërti, duke pasur parasysh skepticizmin e publikut dhe mungesën e besimit në qeverisjen e kaluar, qeveria e re duhet të përfshijë publikun rregullisht në debat përmes mediave dhe deklaratave publike në lidhje me progresin që po bëhet ose edhe vonesat. Kjo është thelbësore jo vetëm për rikthimin e besimit të publikut, por edhe për krijimin e mbështetjes publike, pasi ata tash janë të padurueshëm dhe të etur për zgjidhje të shpejtë për shumë probleme endemike me të cilat përballet vendi.

Së pesti, qeveria duhet të zhvillojë marrëdhënie tregtare dhe miqësore me të gjithë fqinjët e saj, por të kufizojë ndikimin e fuqive të mëdha si Rusia, Kina dhe Turqia, prania e të cilave në Kosovë po rritet në mënyrë eksponenciale dhe të orientuar për të shërbyer interesave të tyre. Për dallim nga qeveria e kaluar, e reja nuk duhet t’i ftojë këto vende të zhvillojnë projekte nacionale, siç janë projektet në energji ose infrastrukturë, përmes të cilave ata mund të ushtrojnë ndikim të padrejtë politik dhe ekonomik.

Së gjashti, qeveria duhet të ruajë natyrën laike të vendit dhe të këmbëngulë në ndarjen midis “shtetit dhe religjionit”. Në veçanti, Turqia nuk e ka fshehur dëshirën e saj për të ndikuar shumë në ligjërimin politik në Kosovë. Ankaraja duhet të parandalohet të ndërtojë më shumë xhami dhe institucione të tjera fetare, dhe Prishtina duhet të kundërshtojë islamizimin e vendit. Erdogan po përdor fenë si një mjet për të shpallur axhendën e tij islamike, e cila është kundër orientimit perëndimor të publikut të Kosovës.

Së shtati, është thelbësore që qeveria të ndajë fonde të mjaftueshme për të avancuar sistemin arsimor. Asnjë fëmijë nuk duhet të privohet nga një arsim i mirë. Mësimdhënësit e shkolluar dhe të paguar më mirë dhe shkollat ​​e rehabilituara krijojnë një mjedis të favorshëm mësimi dhe një arsim cilësor. Duke pasur parasysh numrin jashtëzakonisht të lartë të të rinjve të papunë që variojnë nga 30-50 përqind, shkollat ​​teknike për të trajnuar të rinjtë në zanate të ndryshme që do t’i lejonin ata të gjejnë mundësi më të mira pune janë të nevojshme.

Së teti, mirembajtja e demokracisë është sine qua non për shëndetin e vendit, si dhe qëndrimi i tij mes komunitetit Evropian. Demokracia nuk është thjesht zgjedhje e lirë dhe e ndershme. Një demokraci e vërtetë mbështetet në katër shtylla kryesore: lirinë e shtypit, fjalës dhe kuvendit; dhe gjyqësor i pavarur; respektimi i rreptë i të drejtave të njeriut; dhe liria fetare dhe ideologjike.

Së nënti, qeveria e re duhet të shtyjë për më vonë krijimin e një ushtrie, e cila u mbrojt nga qeveria e mëparshme, pasi nuk ka ndonjë kërcënim që e rrezikon vendin. Ndërtimi madje i një ushtrie të vogël do të kërkonte qindra miliona dollarë në vit, të cilat Kosova tash duhet të investojë në zhvillimin ekonomik. Fokusi duhet të jetë në ndërtimin e një force të fortë dhe të pakorruptuar të brendshme për të garantuar siguri. Aktualisht, SH.B.A dhe BE janë të përkushtuara për sigurinë e Kosovës dhe pasi të zgjidhet konflikti me Serbinë, Kosova mund të bëhet anëtare e NATO-s, e cila do t’i sigurojë asaj ombrellën e sigurisë që i nevojitet.

Do të ishte tepër optimiste të supozohet se një axhendë e tillë “revolucionare” mund të zbatohet brenda “100 ditëve” të para. “Duke pasur parasysh, megjithatë, padurimin dhe skepticizmin e publikut, qeveria e re duhet të përcaktojë planet e saj dhe të përfshijë publikun në procesin e zhvillimit për të ngjallur shpresë dhe për të rikthyer besimin se ndryshimi i vërtetë dhe konstruktiv po afron.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart