Kryeministri Hristijan Mickoski, në emisionin “Vetëm Intervistë” në televizionin Kanal 5, i pyetur për ndërtimet pa leje, theksoi se Qeveria ndjek një politikë parimore dhe se qytetarët e njohin këtë. Ai theksoi se kur bëhet fjalë për shkelje të ligjit, askush nuk do të jetë i mbrojtur.
“Para së gjithash, ne si shtet nuk veprojmë në këto raste. MPB-ja mund të veprojë vetëm mbi bazë të kallëzimit dhe kërkesës së Prokurorisë Publike dhe këtë edhe e bën. Kur merr një kërkesë apo kallëzim nga Prokuroria, atëherë vepron. Sa di unë, nuk është vetëm në Çair. MPB-ja ka vepruar ose do të veprojë edhe në komuna të tjera mbi bazë të kallëzimeve”, tha kryeministri.
Mickoski theksoi se qytetarët e njohin mirë politikën parimore të Qeverisë, dhe se çdo kush që ka shkelur ligjin nuk do të mbrohet.
“Ne ndjekim një politikë parimore, dhe këtë e njohin qytetarët. Dhe askush nuk do të jetë i mbrojtur – këtë e kam thënë shumë herë deri më tani. Kushdo qoftë, çfarëdo qoftë, nëse ka kryer vepër penale. Dhe këtu nuk ka dilemë. Qëllimi ynë si Qeveri, pika e parë e përbashkët, është lufta pikërisht kundër kësaj – kundër korrupsionit të mundshëm. Kushdo që ka ambicie të ndryshme, nuk mund të jetë bashkëpunëtor imi”, deklaroi Mickoski.
Kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër kryetarit të Çairit, Visar Ganiu, dhe disa të punësuarve të tjerë në Komunë, në të cilin thuhet se në komunë po përdoret një regjistër i falsifikuar i protokollit, në të cilin janë regjistruar kërkesat për legalizimin e ndërtimeve pa leje.
tag_katrorimaqedoni_2