A ja vlen kredia, pa sigurimin e jetës !


Gazeta Express
15 Nëntor 2019 12:58

Eglantina Hoxha

Në të shumtën e rasteve qytetarët nuk zgjedhin ta bëjnë në mënyrë vullnetare sigurimin e jetës, por e kanë të detyruar kur marrin kredi në institucionet financiare.  Është një ndër kushtet e bankave, për të mbrojtur huanë e dhënë kundrejt invividëve.  Dhe këta të fundit, me shumë gjasë nuk interesohen se çfarë përfitojnë nga kjo kontratë, pasi mbetet më së shumti një marrëdhënie që vendoset midis instituconeve bankare dhe kompanive të sigurimit.

Por çfarë mbulon sigurimi i jetës?

Sigurimi i jetës se debitorit mbron interesat financiare të kredimarrësit dhe trashëgimtarëve në rastet kur shlyerja e kredisë bankare bëhet e pamundur për shkak të paaftësisë së plotë e të përhershme si rrjedhojë e ndonjë aksidenti ose për shkak të humbjes së jetës së kredimarrësit (ngjarjeve të sigurimit).

Në këto raste, kompania e sigurimit me të cilën banka ka marrëveshje, paguan  për llogari të kredimarrësit, detyrimet e mbetura për kredinë e marrë nga banka në kohën e ndodhjes së ngjarjes së sigurimit.

Sigurimi i jetës së debitorit bëhet për të gjithë periudhën e kredisë, kundrejt një primi sigurimi që paguhet nga i siguruari ose në fillim të kredisë, për të mbuluar të gjithë kohëzgjatjen e saj, ose çdo vit.  Përgjithësisht sigurimi i jetës bëhet për kredimarrësin kryesor, ndëkohë që ka edhe raste specifike që mund të ndahet në dy pjesë kur ka dy kredimarrës.

Por së fundmi, disa institucione financiare huadhënëse, për të tërhequr sa më shumë klientë, kanë hequr nga kushtet e marrjes së kredisë, sigurimin e jetës, duke tentuar të joshin qytetarët me reduktim shpenzimesh.

Por përse nuk vlen një kredi e tillë?

Në rastet e përballjes me një fatkeqësi, si humbje e paaftësisë së plotë e të përhershme, qytetarët do të vendosen në vështirësi për pagesën e kredisë, dhe në rastet e pamudësisë banka do të kryejë ekzekutim kolaterali (kur është kredi hipotekore) apo do të marrë masa të tjera në rastet e kredive konsumatore.

Një tjetër pasojë, është transferimi i kostove tek një person i dytë që ka nënshkruar për marrjen e huasë (dorzanësi), që jo në pak raste, ky individ nuk është bashkëshorti apo bashkëshortja, por mund të jetë dhe një i afërm që ka hedhur më së shumti firmën për t’i ardhur ne ndihmë kredimarrësit.

Ndërsa në rastet e humbjes së jetës së kredimarrësit për shkaqe natyrore apo aksidentale, detyrimet transferohen direkt tek trashëgimtarët, duke u lënë atyre kosto të mëdha.

Pra, të gjitha janë pasoja që duhen mirëmenduar përpara anashkalimit të sigurimit të jetës.

Primet e sigurimit të jetës variojnë sipas kontratave që lidhin bankat me kompanitë e sigurimeve dhe llogariten duke marrë në konsideratë moshën, gjininë e personit të siguruar dhe shumën e kredisë së lëvruar.Por mesatatarsht aplikohet në nivelin 2 për qind të shumës fillestare të kredisë, që mbulon të gjithë kohëzgjatjen e saj, ose kjo shumë ndahet përgjatë viteve për të mos ngarkuar në mënyrë të menjëhereshme klientin. Shuma e sigurimit është e njejtë me vlerën e kredisë së marrë.

Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, sigurimet jetë dhe shëndet zënë në total rreth 14 për qind të strukturës së tregut të sigurimeve. Ndërkaq, primet nga sigurimet e jetësgjatëperiudhës Janar – Shtator 2019, arritën rreth 894 milionë lekë, ose 8.54% më shumë se në periudhën Janar – Shtator 2018. Një peshë të rëndësishme në këto shifra ka pasur sigurimi i jetës së debitorit, ku gjatë kësaj periudhe primet e shkruara bruto arritën në 575 milion lekë , apo me rritje 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit më parë, duke zënë në total 64.3% të kësaj pjese të tregut.

Te fundit


Kthehu lart