A e pranoi Vuçiq shtetin e Kosovës me reagimin ndaj flamurit në zyret e VV’së?


Gazeta Express
17 Tetor 2019 20:21

Presidenti serb, Aleksandër Vuciq, si përkrahësit më të mëdhenj të shtetit kosovar, po pyeste ambasadorin britanik në Kosovë, Nicholas Abbottin pse pranoi të fotografohej në zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje ku qëndron vetëm flamuri kuq e zi. Në cilin shtet i fitoi zgjedhjet Albin Kurti, pyeste Vuciq, i cili nuk e pranon që Kosova është e pavarur, por bën pyetje rreth shtetit të Kosovës.

Përparim Leka

Bujë e madhe po bëhet për një fotografi të ambasadorit britanik, Nicholas Abbot, brenda zyreve të Lëvizjes Vetëvendosje. Lideri i këtij subjekti, Albin Kurti, së bashku me Fitore Pacollin kishin pritur në një takim Abbotin pas fitores në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit. Në zyret e Vetëvendosjes ndodhet vetëm flamuri kombëtar dhe kjo si duket i ka irrituar serbët.

“Pyetje për ambasadorin e BM në Prishtinë: Në zgjedhjet e kujt ka fituar Kurti dhe partia e tij dhe flamuri i cilit shtet është ai para të cilit, ekselenca e juaj, jeni fotografuar me krenari me Kurtin? Do t’ju pyes për këtë derisa të marrë një përgjigje”, kishte shkruar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq duke nënkuptuar se Kurti nuk po përfaësonte shtetin e Kosovës.

Përgjigja e Ambasadës së Britanisë së Madhe në këtë rast ka qenë e shpejtë. Sipas një deklarate zyrtare të kësaj ambasade thuhej se ata nuk i caktonin rregullat e ambientit të asnjë subjekti politik.

“Një fotografi e publikuar së voni e ambasadorit në takim me njërin nga udhëheqësit politikë të Kosovës ka tërhequr vëmendjen e rajonit. Është detyrë e Ambasadës që të bashkëpunojë me akterët kryesorë politikë. Kur veprojnë në kuadër të partisë, bashkëbiseduesit tanë janë të lirë që të zgjedhin se si do t’i organizojnë zyrat e tyre“, thuhej në përgjigjen e ambasadës britanike.

Nga pyetja që bënte Vuçiq, kuptohej se sipas tij në zyrën e VV’së do të duhej të ishte flamuri i shtetit ku i fitoi zgjedhjet.

Duke aluduar se në zyrë ndodhej një flamuri i një shteti tjetër, Vuçiq dha mesazhin se aty duhej të ishte flamuri i Republikës së Kosovës.

Ndryshe, ka pasur reagime edhe nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje rreth kësaj teme.

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një deklarate, e ka porositur Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që duhet ta dijë se “Kosova është demokraci, në të cilën askush askujt nuk ia imponon identitetin ose simbolet, e aq më pak mund të censurohet vullneti politik i një subjekti”.

“Aleksandar Vuçiqi i cili para pak muajve në Mitrovicë mbajti fjalim lavdërues për (Sllobodan) Milosheviqin, nuk është as në pozitën morale e as politike të ankohet për simbolet tona kombëtare, me të cilat kurrë nuk kemi pushtuar e nuk kemi dëmtuar asnjë fqinj”, ka thënë Liburn Aliu, anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.

Tutje ata kanë akuzuar Serbinë edhe për shantazhe ndaj serbëve të Kosovës dhe kanë treguar se do të bëjnë punë të madhe në integrimin e komuniteteve pakicë në shoqëri dhe institucione. /Express/

Te fundit


Kthehu lart