A do të pezullohen pensionet për 19 mijë veteranë? Komandantët deklarohen të pafajshëm


Gazeta Express
14 Mars 2019 14:18

Ata që ishin në udhëheqësi të UÇK-së po përballen me akuza të mashtrimit. Për listat e fryra të veteranëve, sot është mbajtur seanca fillestare në Gjykatë, ku 10 të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Prokuroria kërkoi që të merret masë e përkohshme për ndalimin e pensioneve për më shumë se 19 mijë veteranë të UÇK-së, por Gjykata ende s’ka marrë vendim

Morena Kokollari

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës u përballën sot 10 të akuzuarit për fryrjen e listave të veteranëve të UÇK-së, aktakuzë kjo e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës vitin e kaluar, shkruan Gazeta Express.

Të akuzuar në këtë aktakuzë janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Shkumbin Demaliaj, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari, Ahmet Daku dhe të tjerë. Por, për këta dy të fundit lënda u veçua pasi që nuk ishin të pranishëm në seancë gjyqësore.

Për Ahmet Dakun, Gjykata nuk ka pranuar ndonjë arsye, por për Xhavit Jasharin thanë se ka udhëtuar jashtë shtetit, pasi e ka një familjare në gjendje të keqe shëndetësore.

E për shkak të mungesës së tyre, Prokuroria Speciale kërkoi nga trupi gjykues që të lëshohet urdhërarrest për dy të akuzuarit, Dakun dhe Jasharin, por Gjykata e refuzoi këtë propozim.

Gjyqtarja Nushe Mekaj ka thënë se për Xhavit Jasharin e kanë vërtetuar se ka udhëtuar për në Austri më 7 mars, pasi e ka një familjare në gjendje të keqe shëndetësore.

Ai ka udhëtuar përmes pikës kufitare në Vermicë. Gjyqtarja ka thënë se ai kishte kërkuar që seanca të shtyhet pasi nuk gjendej në Kosovë.

Pas refuzimit të propozimit të Prokurorisë, Gjykata vendosi që lënda e veteranëve mashtrues të veçohet për Ahmet Dakun dhe Xhavit Jasharin.

Gjatë gjykimit të sotëm, prokurori i rastit Enver Krasniqi paraqiti kërkesë për pezullimin e pensioneve për 19 mijë veteranë, deri në përfundim të procesit gjyqësor.

Sipas tij, kjo duhet të bëhet me arsyen se “si rezultati i veprës penale nga të pandehurit është dëmtuar buxheti i Kosovës dhe vazhdon të dëmtohet. Prandaj duke konsideruar buxhetin e Kosovës si interes publik, prokurori i shtetit ka autorizim të plotë ligjor për të kërkuar një gjë të tillë”, ka thënë Krasniqi.

Me t’u publikuar lajmi për kërkesën e prokurorisë për pezullimin e pensioneve, kanë reaguar edhe OVL e UÇK-së.

Për Gazetën Express, Nasim Haradinaj, ka thënë se nëse ndodh ky pezullim i pensioneve për 19 mijë veteranë të UÇK-së, Organizata e Veteranëve të Luftës do të organizojnë protestë të ashpër.

“Kanë me u ballafaqu me protesta shumë të ashpra nëse ndodh kjo. Deri të vërtetohet dënimi ata nuk janë fajtorë. Dënimet kolektive gjykata nuk duhet me i dhanë”, ka potencuar Haradinaj për Express.

E të akuzuarit që ishin sot të pranishëm në seancë, u deklaruan të pafajshëm rreth akuzave të prokurorisë, duke thënë se aktakuza është e pabazuar.

Avokati i Agim Çekut, Ramë Gashi, tha se është e kundërligjshme të kërkohet masë e sigurisë ndaj qytetarëve dhe se prokurori nuk ka asnjë procedurë të përfunduar, “nuk ka asnjë akt përfundimtar lidhur me ndonjë akuzë dhe asnjë vendim të anuluar në asnjë procedurë ligjore të ligjeve në fuqi për asnjë nga këta persona”.

Ai propozoi që kërkesa e prokurorisë të konsiderohet e paligjshme nga ana e Gjykatës.

Kështu mendoi edhe Arianit Koci, avokati i të akuzuarit Shkumbin Demalijaj.

“Kërkesa për masë të sigurisë është non sens. Deri më tani nuk kemi asnjë vendim gjyqësor se ndonjëri prej 19 mijë e 500 personave që merr pension e ka marrë këtë në mënyrë të kundërligjshme. Prokuroria e përfaqëson shtetin e shteti del skajshmërisht jo serioz”, ka thënë Koci.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë për veteranët mashtrues vitin e kaluar. Nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Aktakuza thotë se të akuzuarit, si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në cilësinë e personave zyrtarë, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre, si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’ua mundësojnë personave të tjerë të përfitojnë kundërligjshëm në vazhdimësi në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale ka propozuar që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit për veprën penale që u vihet në barrë, të shpallen fajtorë dhe të gjykohen sipas ligjit. /GazetaExpress/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart