A do të mund t’i plotësojë Policia vendet e zbrazëta pas dorëheqjes së policëve serbë? - Gazeta Express
string(84) "a-do-te-mund-ti-plotesoje-policia-vendet-e-zbrazeta-pas-doreheqjes-se-policeve-serbe"

Lajme

Gazeta Express

27/01/2023 13:20

A do të mund t’i plotësojë Policia vendet e zbrazëta pas dorëheqjes së policëve serbë?

Lajme

Gazeta Express

27/01/2023 13:20

Policia e Kosovës ka vendosur ta zgjasë edhe për 10 ditë konkursin për pranimin e zyrtarëve policorë, që do të zëvendësonin policët serbë që dhanë dorëheqje në veri. Por, pse u zgjat afati dhe sa kandidatë kanë aplikuar deri tash?

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Vendimit të Listës Serbe për t’u larguar nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, iu bashkuan edhe zyrtarët serbë që ishin pjesë e Policisë së Kosovës. Afër 600 prej tyre i zhveshën uniformat.

Për t’i plotësuar këto mungesa, Policia e Kosovës shpalli konkurs para tri javëve.

E pikërisht në ditën kur do të mbyllej konkursi, Policia vendosi ta zgjaste afatin për 10 ditë.

“Afati për paraqitjen e aplikacioneve vazhdohet për dhjetë (10) ditë duke filluar nga data 27.01.2023 deri me datë 10.02.2023. Vëmendje: Kriteret në konkurs mbeten të njëjta si dhe kandidatët të cilët kanë konkurruar në këtë konkurs  nuk është e nevojshme të aplikojnë përsëri.

“Policia e Kosovës shpall konkurs – Për pranimin e zyrtarëve policorë sipas kushteve të parapara të konkurrimit për të gjitha minoritetet (Serb, Boshnjak, Turq, Goran, Romë, Ashkali, Egjiptas, Kroat, Malazez, Maqedonas). Vendi i punës: Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri”, thuhet në njoftim.

Nga Policia e Kosovës s’kanë treguar numrin e kandidatëve që do të pranohen nga ky konkurs e as numrin e aplikacioneve që janë dorëzuar deri tash.

Vetëm kanë thënë se deri tani ka pasur kandidatë të interesuar nga komunitete të ndryshme.

“Siç jeni të informuar konkursi është hapur, përfshirë me kriteret që parashihen, ku deri më tani ka pasur kandidatë të interesuar nga komunitete të ndryshme për aplikim”, thuhet në përgjigje.

E zgjatjen e konkursit, Policia ka thënë se e ka bërë me  “me qëllim të dhënies së mundësive shtesë, sikurse edhe në të kaluarën…”.

Gazeta Express ka pyetur Policinë edhe për numrin e policëve serbë, të cilëve u është pranuar dorëheqja dhe për atë se si është duke funksionuar Policia aktualisht në veri, por kanë refuzuar të përgjigjen.

Për këtë çështje, ka thënë se do të lajmërohen me kohë.

“Ndërsa sa i përket procesit/çështjeve të mëtejme rreth konkursit në fjalë do të informoheni me kohë sipas planifikimeve/fazave që parashihen. Policia e Kosovës, përmes video mesazheve, fushatave sensibilizuese dhe takimeve zyrtare që po mbahen në të gjitha rajonet, ç’do herë ka inkurajuar dhe vazhdon ti inkurajon dhe fton qytetarët e të gjitha komuniteteve pakicë që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjet e Policisë për Express.

Cilat janë kriteret për aplikim?

Në njoftimin për konkurs, Policia ka renditur edhe kriteret që duhet t’i përmbushin ata që aplikojnë.

Kriteret janë: Të jetë shtetas i Republikës së Kosovës; të jetë i moshës 18-30 vjeçar; të ketë të përfunduar shkollimin e mesëm; të jetë në gjendje të mirë fizike, mentale dhe emocionale; të mos jetë i dënuar për ndonjë vepër penale, të mos posedojë në vend të dukshëm tatuazh (fytyrë, qafë, duar); të ketë integritet personal dhe vlera të larta etike.

Ata që aplikojnë duhet t’u nënshtrohen disa testeve, e të cilat janë: Testi me shkrim, testi i aftësive fizike, intervista, testi psikologjik, kontrollimi mjekësor dhe verifikimi i të kaluarës.

“Aplikimi të bëhet në formën fizike që nënkupton se aplikacioni duhet të shkarkohet nga faqja zyrtare e Policisë së Kosovës në adresën www.kosovopolice.com/Shpallje/Mundësi punësimi. Aplikacioni i plotësuar së bashku me dokumentet tjera mund të dërgohet fizikisht në stacionin më të afërt të Policisë ose të dërgohet përmes postës elektronike(email) në adresën [email protected]”, thuhet në njoftimin e Policisë./Gazeta Express