A do të luajë për Kosovën, Shqipërinë apo Zvicrën? Përgjigjet Kamberi


load
Gazeta Express
19 Tetor 2019 21:05

Futbollisti 24-vjeçar Florian Kamberi ka thënë se dëshiron të luajë për një Kombëtare në turnetë e mëdha si Kampionati Evropian dhe Kupa e Botës, mirëpo ka shtuar se nuk ka preferencë mes Kosovës, Shqipërisë dhe Zvicrës.

Sulmuesi Florian Kamberi luan për klubin skocez, Hibernian, ndërsa gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për Grasshoper dhe Karlsruher SC. Ai e ka përfaqësuar Kombëtaren e Zvicrës në nivelin U-21, transmeton Gazeta Express.

Ai ka lindur në Cyrih në Zvicrës, mirëpo të dy prindërit i ka nga Kosova. Megjithatë ai thotë se ende nuk e di se për cilën Kombëtare dëshiron të luajë dhe shton se do ta ketë të vështirë tani që e ka humbur vendin si titullar për Hibernian.

“Qëllimi im i madh është që të luaj futboll ndërkombëtar. Kam mundësi të luajë për tri përfaqësuese dhe secila nga to do të jetë një privilegj për mua, në veçanti nëse do të ishte në turne si Kampionati Evropian ose Botëror”, ka thënë Kamberi për “The Sun”.

“Për të arritur këtë qëllim duhet të luani rregullisht në klubin ku luani dhe unë këtë nuk e kam dhe do ta konsideroj largimin. A ekziston shansi që unë të luajë në “Euro”? Po, nëse unë luaj çdo fundjavë dhe shënoj gola rregullisht, atëherë do të jetë një mundësi”.

“Është e vështirë të di se cila është mundësia më e mirë, sepse nuk e di se çfarë mendojnë këto shtete për mua. Unë kam lidhje me secilin shtet. Jam rritur në Zvicër dhe e kam familjen atje. Të dy prindërit i kam nga Kosova dhe atje kam qenë shpesh për pushime”.

“Shqipëria është si një vëlla për Kosovën, pra do të ishte e njëjtë për mua në fund të ditës. Nuk kam ndonjë preferencë, unë kurrë nuk do të them se kjo ishte zgjedhja ime para të tjerave. Do të jetë një privilegj t’i përfaqësojë. Nuk jam ftuar asnjëherë nga asnjëra, jam duke pritur”. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart