A do të koordinohen Thaçi e Haradinaj, apo do të shkojnë në Berlin të përçarë


Gazeta Express
18 Prill 2019 17:19

Që nga vjeshta e vitit të kaluar kur në Forumin e Alpbachut në Austri u ngjiz ideja për korrigjim të kufijve, kryeministri Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi janë përplasur, shpesh herë në distancë me deklarata, e disa herë edhe kur kanë qenë ballë për ballë njëri tjetrit.

Besnik Veliu

E pas gjithë këtyre përplasjeve, të dyve mbase do t’iu duhet të ulën në të njëjtin aeroplan për të udhëtuar drejt Berlinit, për t’u takuar me kundërshtaren më të fuqishme të idesë për prekje të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rrugë për arritjen e një marrëveshje finale.

Por a do të udhëtojnë edhe drejt Berlinit me qëndrime të ndara sa i përket kësaj ideje?- Gazeta Express ka kontaktuar me zyrën e kryeministrit Ramush Haradinaj, për t’i pyetur nëse do të ketë një takim në mes Haradinajt dhe Thaçit para udhëtimit për në Gjermani.

Në përgjigjen e tyre nuk kanë treguar se e a do të takohen mes vete dy ish-komandantë e UÇK’së, megjithatë thonë se do të ketë koordinim mes tyre.

“Sigurisht që Kosova do të shkojë në koordinim ndërinstitucional në këtë takim ,dhe sigurisht që tashmë dihen qëndrimet e kryeministrit për temat e rëndësishme të vendit”, ka thënë zëdhënësja e Haradinajt, Donjeta Gashi.

Se do të ketë koordinim mes presidentit dhe kryeministrit para nisjes për Berlin e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe shef i stafit të Thaçit, Bekim Çollaku.

Ai ka treguar se presidenti Hashim Thaçi do të jetë udhëheqës i delegacionit në Berlin, dhe para nisjes do të takohet me krerë tjerë të institucioneve.

“Presidenti i Republikës se Kosovës  Hashim Thaçi është udhëheqës i delegacionit shtetëror që do të marrë pjesë në takimin e Berlinit. Sigurisht se do të këtë koordinim ndërinstitucional me Kryeministrin Haradinaj, Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, zëvendës kryeministrin Pacolli dhe bashkë kryesuesit e Ekipit shtetëror për dialog, z. Limaj dhe Ahmeti”, ka thënë Çollaku për Express.

Çollaku ndër të tjera ka thënë se ky koordinim do të jetë i nevojshëm edhe përkundër faktit se në Berlin nuk do të ndodh asgjë e jashtëzakonshme.

“Edhe pse në këtë takim nuk pritet të ndodhë asgjë e jashtëzakonshme, megjithatë koordinimi ndërinstitucional është i domosdoshëm kur diskutohen çështje te rëndësishme të interesit shtetëror”, ka përfunduar ai.

Ndërkohë në anën tjetër nuk do të rrijë duarkryq as presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq. Para këtij udhëtimi për në Gjermani  ka planifikuar që të këshillohet në Pekin me Vladimir Putinin e presidentin kinez, Xi Jipping me 26 prill.

Për këtë takim të tij ka njoftuar ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se ata do të takohen me 26 prill, tre ditë para takimit në kryeqytetin gjerman.

Takimi i Berlinit nuk ka kaluar pa rënë edhe nën radarin e mediave më të mëdha në botë.

Vjenezja ‘Der Standard’ thotë se Berlini do të jetë vendi  ku do të varroset ideja për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ide kjo të cilën Thaçi e Vuçiq kanë provuar ta shtyjnë përpara për muaj të tërë.

Ndërsa  ‘The Economist’ në një artikull të publikuar dje, ka thënë se në Berlin, Angela Merkel, do të provojë të bind edhe presidentin e Francës, Emanuel Macron, që të rreshtohet krah saj, kundër korrigjimit.

Lidhur me koordinimin Gjermani-Francë para takimit të 29 prillit në Berlin, Gazeta Express ka kontaktuar me zyrën e kancelares Merkel. Në përgjigjen e tyre ata kanë thënë se qëndrimi i Qeverisë Federale për korrigjimin e kufijve mbetet e i pandryshueshëm, dhe kanë specifikuar se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm si për Gjermaninë po ashtu edhe për Francën.

Takimi i Berlinit është bërë me ftesë të kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe presidentit francez, Emanuel Macron, dhe në të do të diskutohen çështjet të cilat shqetësojnë rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht raportet e parregulluara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përveç Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt, Aleksander Vuçiqit e Ana Brnabiqit, e ftuar do të jetë edhe Federica Mogherini dhe përfaqësues të Kroacisë e Sllovenisë./GazetaExpress/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart