A do të investojnë në Kosovë apo Serbi? Zyrtarët e Volkswagenit flasin për Express


Gazeta Express
17 Prill 2019 17:14

Një investim i mundshëm i kompanisë gjermane ‘Volkswagen’, në Ballkan, ka aktivizuar jashtë mase Serbinë dhe Kosovën, pasi të dy shtetet dëshirojnë që të thithin një investim të tillë. Në njërën anë, Aleksander Vuçiq po angazhohet me të gjithë format për të arritur atë qëllim, ndërkohë nga Qeveria e Haradinajt, i ka dërguar një ftesë gjigantit gjerman që të investojë në Kosovë. Përveç ekonomikisht, ky investim mes Kosovës dhe Serbisë është edhe një çështje politike. Kush do të fitojë një investimin e një kompanie të Gjermanisë së kancelares Angela Merkel. Por, çfarë thonë zyrtarë të Volkswagen për këtë çështje?

Besnik Veliu

Kompania gjigante gjermane e prodhimit të veturave Volkswagen ende nuk ka marrë asnjë vendim, nëse do të investojë në Serbi, Kosovë, apo në ndonjë lokacion tjetër në Evropë.

Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësja e kompanisë gjermane, Leslie Bothge.

“Asnjë vendim nuk është marrë ende”, ka thënë ajo, e pyetur se ku do të investojnë, në Serbi apo Kosovë.

Ajo ka shpjeguar se aktualisht gjenden ende në fazën e përcaktimit të kushteve që janë të nevojshme  për një investim të tillë gjigant.

Në përgjigje është lënë e hapur mundësia që ky investim të bëhet edhe në ndonjë vend tjetër të Evropës Lindore e nuk është përjashtuar as Kosova.

“Ne jemi ende në fazën e përcaktimit të kushteve të nevojshme dhe gjetjen e lokacioneve të mundshme në vendet e Evropës Lindore”, thuhet në përgjigje.

Ndërkohë për detajet e tjera të pyetur nga Gazeta Express, Bothge ka thënë se nuk mund të flasin, për shkak të çështjeve që kanë të bëjnë me konkurencën.

“Ne nuk mund të ndajmë planin tonë të brendshëm, dhe strategjinë”, përfundon përgjigja e zëdhënëses së kompanisë Volkswagen, Leslie Botghe dhënë Gazetës Express.

Nga Volkswagen nuk kanë treguar nëse e kanë pranuar ftesën e dërguar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës, Endrit Shala, ku i  bënte thirrje kompanisë gjermane që të investojë në Kosovë.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, është shumë aktiv dhe për të bindur gjermanët që të investojnë në Serbi, ka filluar të bëj edhe propagandë.

Tashmë nëpër studio televizive ai endet me një orë dore të tipit ‘Volkswagen’, të cilën thotë se ia ka dhuruar ministri serb i Financave, që e kishte blerë gjatë qëndrimit në Gjermani për 129 euro.

Vuçiq thoshte se atë orë e mbante për t’i sjellur më shumë fat./GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart