A do të duhet vaksinë e re për Omicron-in - nëse po, sa kohë do të duhet - Gazeta Express
string(69) "a-do-te-duhet-vaksine-e-re-per-omicron-in-nese-po-sa-kohe-do-te-duhet"

A do të duhet vaksinë e re për Omicron-in – nëse po, sa kohë do të duhet

Lajme

Gazeta Express

27/11/2021 10:57

Bota ka kapacitete të kufizuara për prodhimin e vaksinave dhe fabrikat e saj tash për tash po punojnë me kapacitete të plota për të prodhuar vaksina për variantet ekzistuese të koronavirusit.  Kjo e shtron pyetjen: nëse një vaksinë e re vërtet do të nevojitet për t’u mbrojtur nga varianti i ri, B.1.1.529, ku do të prodhohet dhe sa kohë do të nevojitet për të arritur në duart e Britanisë së Madhe?

The Telegraph / Përktheu: Nasuf Abdyli, Gazeta Express

Lexo Edhe:

Disa gjithashtu mund të pyesin: nëse do të nevojiten gjashtë muaj deri në një vit – siç duket e mundshme -, si përputhet kjo me strategjinë e qeverisë për të jetuar me virusin? A do t’i mbajmë vërtet të mbyllur kufijtë e Britanisë për kaq gjatë?

Ndikimi që varianti i ri do të ketë ndaj vaksinave ekzistuese nuk është ende i ditur, por shkencëtarët tashmë po e kthejnë mendjen drejt një vaksine të re. “Mendoj se ne, si botë, do të mund ta shqyrtonim, në të ardhmen jo shumë të largët, fillimin e përdorimit të së paku një pjese të kapacitetit për prodhimin e vaksinave me teknologjinë mRNA për të bërë vaksina që e bëjnë cak variantin B.1.1.529”, shkroi në një rrjet social Theo Sanderson të enjten.

Në teori, vaksinat me mRNA, si ajo e Pfizer-it dhe e Moderna-s, prodhohen më shpejt se vaksinat konvencionale. Ndryshimet në kodin sintetik, që përdoret për t’ia ndaluar virusit shënjestrimin e qelizave njerëzore, mund të bëhen brenda disa ditëve në laboratorin e duhur, duke supozuar se pikat e dobëta të tij janë të qarta. Edhe procesi i prodhimit është më i lehtë.

Kompania “BioNTech”, e cila qëndron prapa vaksinës së kompanisë “Pfizer”, tha të premten se brenda dy jave do të dijë nëse nevojitet vaksinë e re. Pas kësaj, do të nevojiteshin vetëm tre muaj për të prodhuar një vaksinë të re. “Pfizer-i dhe BioNTech-u kanë marrë veprime muaj më parë për të qenë të aftë që ta përshtatin vaksinën me mRNA brenda gjashtë javëve dhe të transportojnë doza fillestare brenda 100 ditëve në rast të një varianti”, tha kompania.

Periudha e parashikuar kohore për zhvillimin e një vaksine të re: 1. Vendimi nëse nevojitet një vaksinë e re – dy javë; 2. Prodhimi i vaksinës testuese – gjashtë javë; 3. Testimi në njerëz – 1 deri 6 muaj; 4. Prodhimi i 60 milionë dozave – 3 muaj; 5. Vaksinimi i popullsisë së rritur britanike – 4 deri 6 muaj (Grafiku: The Telegraph)

Nëse një vaksinë kundër variantit B.1.1.529 mund të prodhohet aq shpejt, mund të presim që ajo të jetë në dispozicion nga fundi i shkurtit. Por a ëshë kjo vërtet e realizueshme?

Ekspertët paralajmërojnë për vonesa nga rregullatorët dhe pengesa në prodhim. Përpos nëse vaksina e re nuk është vetëm një ndryshim i vogël nga origjinalja, rregullatorët dhe qytetarët do të duan që ta sigurojnë veten se ajo është e sigurt – dhe kjo, pothuajse sigurisht, do të përfshijë testime në njerëz.

Ta marrim variantin Beta, që e trembi botën, kur u shfaq në Afrikën Jugore më herët këtë vit. Kompania “AstraZeneca” nisi testim të një vaksine për ta luftuar këtë variant në qershor, por ai testim – që përfshiu mbi 2.800 pjesëmarrës – është ende duke u zhvilluar edhe pas pesë muajve.

Richard Hatchett, shef ekzekutiv i Koalicionit për Inovacione të Përgatitjes për Pandemi, tha se zhvillimi i një vaksine të re në laborator do të duhej të ishte i drejtpërdrejtë, por paralajmëroi se kërkesat e rregullatorëve për testimin do të mund t’i ngadalësonin gjërat, pasi vaksina ekzistuese do të kërkonte më shumë sesa një ndryshim të vogël.

Pengesa tjetër e mundshme ka të bëjë me prodhimin dhe blerjen. Tash për tash, kërkesa është më e madhe se furnizimi për vaksina kundër Covid-19. Shtetet në mbarë Evropën po garojnë për doza përforcuese për t’u mbrojtur nga varianti Delta, shkruan The Telegraph, përcjell Gazeta Express.

Ekziston gjithashtu edhe pyetja e vështirë për atë se kur të kalohet nga prodhimi i një vaksine te prodhimi i një tjetre. Kjo do të ishte veçanërisht e vështirë, nëse vaksina e re do të mbronte kundër variantit të ri, por jo edhe kundër varianteve të mëhershme.

Politika do të luajë rol në mënyrë të pashmangshme, gjithashtu. Shtetet me kapacitete prodhuese, posaçërisht Shtetet e Bashkuara, shtetet evropiane dhe India, do të duan që fabrikat e tyre të prodhojnë në mënyrë masive vaksina kundër varianteve që janë më të rëndësishmet për to – dhe ato mund të mos jenë të njëjtat përreth botës.

Britania e Madhe dhe Izraeli, për shembull, janë afër përfundimit të vaksinimit të popullsisë së tyre me doza përforcuese kundër Deltës dhe mund të synojnë që shpejt të sigurojnë një vaksinë kundër variantit B.1.1.529. Shtetet e Bashkuara, India dhe Evropa kontinentale, në anën tjetër, ende kanë rrugë të gjatë për vaksinimin kundër Deltës.

Shumica e ekspertëve i përkrahin vendimet për ndalimin e udhëtimeve si masë parandaluese afatshkurtër. Kjo na jep kohë për të mësuar më shumë rreth variantit të ri dhe rreth sfidave që ai i paraqet.

Por nëse nevojitet një vaksinë e re, nuk do të ketë zgjidhje të shpejtë – dhe kjo do të paraqesë sfidë të madhe politike për ministrat, përcjell Gazeta Express.

“Nocioni i të jetuarit me virusin e nënkupton jetesën me variantet e reja dhe reagimi ynë ndaj secilit variant duhet të jetë i matur, proporcional dhe i qëndrueshëm”, tha Mark Woolhouse, profesor i epidemiologjisë së sëmundjeve ngjitëse në Universitetin e Edinburgut.

“Ky është një argument për ta bërë udhëtimin më të sigurt – përmes kontrollimit e testimit të përforcuar e jo duke e ndaluar udhëtimin në tërësi”, shtoi ai.