A do ta mbjellë një pemë Albin Kurti – kjo është përgjigjja e Vetëvendosjes për Haradinajn


Gazeta Express
15 Prill 2019 14:30

Megjithëse raportet në mes të kryeministrit Ramush Haradinaj e liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti, momentalisht nuk qëndrojnë aq mirë, Haradinaj zgjodhi që kundërshtarin e tij politik ta sfidojë pak ditë më parë. Por, fushata “Mbill një pemë”, po shihet nga VV-ja si sfidë fëmijërore, ndërkaq në një përgjigje për Gazetën Express nga kjo parti kanë bërë të ditur se Kurti nuk do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës.

I pari në listën e atyre që kryeministri Ramush Haradinaj nominoi në sfidën “Mbill një pemë”, ishte lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Përderisa disa nga të tjerët që u nominuan iu përgjigjën pozitivisht ftesës, i vetmi politikan që Haradinaj sfidoi nuk e ka ndërmend të mbjellë pemë, në kurriz të kësaj nisme.

Të kontaktuar nga Gazeta Express në Lëvizjen Vetëvendosje, kanë bërë të ditur se janë duke pritur debat politik në mes të liderëve, e jo sfida të cilat i kanë quajtur fëmijërore.

“Ne po presim të bëhet një debat politik mes liderëve, jo këso sfidash fëmijënore”, ka thënë për Express, Arlind Manxhuka nga sekretariati për media i VV-së.

Tutje nga partia që udhëheq Albin Kurti po e kritikojnë këtë nismë, duke thënë se një gjë e tillë duhet të bëhet nga kryetari i komunës, kryhet nga kryeministri që me ligj do të duhej të ishte duke udhëhequr negociatat Kosovë-Serbi.

“Kryetari i Komunës që duhet të mbjellë pemë shkon në negociata, ndërkohë kryeministri që me ligj i takojnë negociatat mbjellë pemë. Kjo përfundon në një paradoks ku askush nuk e bënë mirë punën e vet duke u fshehur prapa punës së tjetrit”, thonë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërkohë, ditë më parë nga zyra e kryeministrit ka filluar nisma “Mbill një pemë”, nga ku janë sfiduar disa nga fytyrat publike për të mbjellë pemë në vende të ndryshme të Kosovës.

Haradinaj për këtë sfidë, pasi u nominua nga ish-presidentja Atifete Jahjaga zgjodhi kopshtin parashkollor “Milingonat” në Kodrën e Trimave, nga ku shkroi se ka synuar që përmes kësaj të bartë shembullin edhe te fëmijët. /GazetaExpress

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart