Dermatologia Erjona Shehu tregon se bashkëshorti i saj Arjan Haxhi është mjek infeksionist ku po lufton me koronavirusin çdo ditë në infektiv.
Ajo shprehet se është një situatë e vështirë dhe kur kthehet në shtëpi ai është i detyruar të mbajë një distancë nga fëmijët e tij dhe rri mbyllur në dhomë me maskë.
“Unë vetëm dy lutje kam e para që kjo të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur në rang global dhe e dyta që im shoq të jetë sa më mirë, të mos ketë asnjë lloj problemi shëndetësor.
Ai është i pari që vendos distancën me ne, ri me maskë gjatë gjithë kohës në shtëpi, sa vjen futet në dhomë, izolohet. Del vetëm për të ngrënë, por prap edhe kur del mban një distancë. Janë rregulla që ai si infeksionist i ka merak. Nuk afrohet të përqafojë fëmijët, domethënë respektohet distancimi social maksimalisht”, shprehet dermatologia Erjona Shehu.
Ajo na ka dhënë disa këshilla si të kujdesemi për lëkurën tonë gjatë ditëve të karantinës, gjithashtu ka dhënë disa këshilla për stafin mjekësor që janë të detyruar të mbajnë maskën e fytyrës gjatë gjithë kohës.
“I referohem personelit mjekësor që është i detyruar të mbajë maskën me orë të gjata. Vendosja e elementëve mbrojtës para se të vendosin maskën, si leokoplast në zonën e hundës do e lehtësonte situatën, por më e mira do ishte që menjëherë pas heqjes së maskës të vendosen kremëra që janë rigjenerues për lëkurën, qoftë vetëm një vazelinë e thjeshë i bën jashtëzakonisht shumë mirë lëkurës”, shprehet Erjona ne Ora.