Ndriçohet palestra e 12 vjetëve në Istog - Gazeta Express
string(40) "ndricohet-palestra-e-12-vjeteve-ne-istog"

Gazeta Express

26/01/2020 14:49

Ndriçohet palestra e 12 vjetëve në Istog

Gazeta Express

26/01/2020 14:49

Kanë rinisur punimet në palestrën e qytetit të Istogut, punime të cilat kanë zgjatur mbi një dekadë. Mungesa e një vendi për stërvitje nga klubet e ndryshme ka qenë problematikë e madhe e këtij qyteti.

Altiana Zogaj*

Lexo Edhe:

‘‘Gjatë muajit shkurt të vitit 2019, z.Kujtim Gashi i kishte takuar punëkryesit e kompanisë ‘Dekor-Al’ dhe nga aty, kryesi i detyrës tha se punimet do të përfundonin shumë shpejt dhe se palestra do të ishte gati në qershor të po këtij viti. Këtë premtim ai e kishte dhënë para medieve duke ia shtrënguar dorën Kujtim Gashit’’, tha Drin Sadikaj, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport.

Megjithëse ishte thënë kjo, as në muajin qershor një gjë e tillë nuk u realizua dhe se prokurimi i qytetit të Istogut u detyrua ta vendosë në ritenderim punimin e kësaj palestre dhe më 24 tetor u nënshkrua kontrata me kompaninë e re, ‘’Mercom’’, e cila e kishte fituar tenderin. Kompania që është vënë në detyrë për përfundimin e palestrës tenderin e ka fituar me 336.000 euro.

“Afati për përfundimin e punimeve ishte 10 muaj, duke filluar nga muaji nëntor, por pas disa bisedimeve dhe konsultimeve me prijësit e kompanisë, ka gjasa të përfundojë më herët dhe se janë në fazën përfundimtare me punimet, nëse mund ta quaj të tillë ,përderisa shpresoj të mos ka probleme me kompaninë dhe të tregojnë respekt ndaj kontratës dhe ta mbajnë fjalën”, tha Sadikaj.

Ndryshe, kjo palestër, sipas Drin Sadikajt, është duke përfunduar për së mbari .

‘’Ndriçimi ka përfunduar, përpos reflektorëve, po punohet në sanitari, janë porositur rekuizitat dhe parketi”, shtoi drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe sportit.

Ndërsa drejtori i kompanisë “Mercom’’ tha se punimet në këtë fazë janë duke ecur mjaft mirë. ‘’Ne kemi një plan dinamik të punës që është afërsisht 12 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës për të përfunduar këtë fazë dhe se punimet janë duke shkuar për së mbari”, tha Robert Gegaj, drejtor i kompanisë punuese.

Ndërsa në lidhje me pjesën e mbetur të punimeve, ai tha se punët e parketit profesional dhe pajisjeve sportive janë porositur tanimë dhe pritet të përfundohen. Përpos kësaj, ai sqaroi që punimet jashtë palestrës, për infrastrukturë, nuk përfshihen në kontratën e tyre dhe një kompani tjetër merret me këtë çështje. “Jam i informuar që Komuna është në proces të përzgjedhjes së kompanisë për përfundimin e atyre punimeve’’, shtoi ai.  

Nga mungesa e një ‘‘shtëpie’’ më të prekurit ishin klubet e ndryshme istogase, në pamundësi që ndeshjet t’i zhvillojnë si vendas. Kjo mungesë ka shfaqur probleme edhe për trajnerët e ndryshëm. “Mungesa e palestrës  është nga fillimi dhe fundi, tmerr, ne si vendas luajmë në Pejë, Klinë, Drenas, Gjakovë dhe Prizren’’, tha ndër të tjera trajneri i klubit ‘”KB-Istogu’’, Fikret Shatri.

Trajneri i klubit ‘”K.H.F-Istogu’’, Faruk Shala, u shpreh i pakënaqur me mosndërtimin e kësaj palestre qe shumë vite . “Palestra që ka fillu para shumë viteve tash i ka kalu kufijtë e kohës së ndërtimit, objekt çfarëdo është ai, por më mirë vonë se kurrë dhe unë pres që vitin e ardhshëm këto punime të përfundojnë”, tha Shala. Ai gjithashtu tha se i druhet faktit të paralajmërimit që në qeverinë e ardhshme nuk do të ketë fare Ministri të Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe se kjo mund të ndikojë përsëri negativisht në punimet e kësaj palestre. “Këto pengesa kanë ardhur nga njerëzit e zyrave, që pak u bëhet dert për vështirësitë me të cilat përballen rinia dhe sporti. Unë shpresoj të përfundohen këto punime që kanë rifilluar tani dhe të mos kenë përsëri stërzgjatje, sepse kjo çështje i ka lodhur klubet sportive, ka pasoja të pariparueshme”, tha nëfund trajneri i klubit hendbollistik të Istogut.

Lajmi i fillimit të rindërtimit të palestrës në Istog ka gëzuar edhe lojtare të klubeve të ndryshme, të tilla si Suzana Ujkiq, e cila tha se dëshira më e madhe e saj do të ishte përfundimi i sallës së sporteve. “Ne jemi klub me influencë sportive në Kosovë dhe jashtë saj dhe sukseset tona nuk janë të pakta, por çdoherë ka mbetur i çuditshëm fakti se si një klub, i cili nuk ka palestër, të jetë aq i suksesshëm. Patjetër që lajmi i fillimit të ndërtimit të palestrës na ka gëzuar jashtë mase dhe se do të realizohej një dëshirë e kamotshme”, tha Ujkiq, lojtare e klubit ‘’KHF-Istogu’’.

Ndër të tjera, i brengosur nga ky fakt është treguar edhe trajneri i klubit të atletikës, ‘’Olimpiku’’, Frashër Bujupaj, i cili tha se sfida më e madhe për sportdashësit e qytetit ishte mospërfundimi i sallës së sporteve.

Klubet sportive ushtrimet e tyre deri më tani i kanë mbajtur në sallën e sportit të shkollës fillore “Bajram Curri” në Istog, e cila gjithashtu, sipas tyre, nuk i ka përmbushur kushtet e nevojshme për shfrytëzim nga lojtaret.

“Kushtet nuk janë aq të mira as në sallën ‘Bajram Curri’. Aty ka rrjedhje të ujit dhe kjo shpesh ka qenë shkaktare e lëndimeve të shumta që kemi marrë ne si sportistë dhe shfrytëzues të asaj salle”, tha Albin Hajzeraj, basketbollist nga Istogu . Keqardhje për  klubet sportive ndiejnë edhe qytetarët istogas, të cilët thonë se është dashur të përfundonte shumë më herët . “Klubet që i kemi në Istog janë shumë të mira dhe kanë korrur shumë suksese, atyre është dasht me ua mundësu një vend ku me u stërvit edhe me u bo gati për ndeshjet që i kanë dhe jo me shku në palestra t’vendeve tjera’’, tha Alberina Buleshkaj qytetare e Istogut .

Fillimet e ndërtimit të kësaj palestre patën filluar në vitin 2008, pra hiç më pak se para 12 vjetëve.

*Altiana Zogaj është studente e Departamentit të Gazetarisë në UP.