Gara e parë në disiplinën malore, e vlefshme për Kampionatin e Kosovës në automobilizëm, mbahet në këtë fundjavë në Grashticë.
Beteja për pikët e para në këtë disiplinë do të jetë e fortë, qoftë për renditje sa më të mirë në klasa, qoftë për plasmanin e përgjithshëm.
Tashmë për pjesëmarrje kanë aplikuar garuesit më me përvojë dhe ata që synojnë rezultate të mira këtë vit, prandaj me të drejtë pritet që gara të jetë interesante.
Fituesi në vitin e kaluar dhe kampioni aktual në disiplinën malore, Gazmend Demolli, beson që edhe kampionatin e sivjetmë ta nisë me fitore.
“Shpresoj të jetë garë e mirë. Grashtica është shteg simpatik, jo shumë i vështirë, por gjithsesi i dashur për ne garuesit e disiplinës malore. Jam optimist që kampionatin ta nis me fitore dhe me rezultate të mira të vazhdoj edhe në garat e ardhshme”, ka thënë Demolli.
Procedurat për garën e kësaj fundjave nisin nesër (e shtunë) nga ora 09:00-10:30 me paraqitjen në garë për të vazhduar më pas me agjendën e publikuar më parë në faqen zyrtare të FASK-ut.
Opel Corsa Hybrid Edition në Foleja Motors vjen si një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë një veturë moderne,...