Shkruan: Riza Krasniqi
Profesor, përse u angazhuat? Profesor, përse nuk jeni angazhuar deri më tani? Ndoshta këto janë dy pyetjet që më bëhen pandërprerë këto ditë nga shumica e njerëzve që takoj, si dhe nga ata me të cilët komunikoj nga distanca. Të dyja, në thelb, kërkojnë një arsyetim. E di që sot çdo përgjigje shihet disi nga distanca. Nuk më pëlqen të them se shihet me dyshim apo me mosbesim. Nganjëherë nuk dua t’ia pranoj vetes që kemi arritur në një shkallë të tillë sa nuk i besojmë njëri-tjetrit. Dikur, fjala për ne ishte thuajse e shenjtë. Për një arsye të thjeshtë: sepse e mbanim atë. Sot fjalët i kemi rënduar shumë. Aq shumë, sa më shkon mendja se jemi në prag të një krize të madhe si pasojë e polarizimit. Nuk merren parasysh programet dhe çështjet përmbajtjesore, por sharjet. Dhe kjo duhet të marrë fund.
Rrëfimi im jetësor është thuajse i lidhur me pajtimin. Secilit prej nesh i duhet njëfarë kompromisi me ata që na rrethojnë, duke filluar nga familja. Në ditë të vështira, por edhe në ato të lumtura, shqiptarët gjithmonë janë bashkuar për punë të mëdha. Madje, shpesh në lëvizje të suksesshme janë bashkuar edhe ata që fillimisht kanë qëndruar anash. Unë nuk e kam parë politikën nga anash. Jam përpjekur që, përmes veprimeve të tjera, t’i ndihmoj politikës, vendit dhe shtetit.
Në ditë të vështira u bëra pajtimtar. Iu bashkova lëvizjes së të rinjve që udhëhiqej nga prof. Anton Çetta. Së bashku pajtuam mijëra familje në vend. Shumë fëmijëve ua hapëm dyert e shkollave, pasi nuk mund të shkonin në mësim për shkak të gjakmarrjes. Ajo ndjenjë është e papërshkrueshme. Si profesor, për mua ato ishin momente të mëdha. E ndjeja si detyrë dhe mision. Babai im i ndjerë dikur kishte shitur një armë për të blerë “Lahutën e Malcisë”. Ishte kritikuar nga rrethi, por ai mendonte se shqiptari, krahas pushkës, duhet ta ketë edhe librin. Besonte fort se, sikur të kishim më shumë libra sesa pushkë, punët do t’i kishim shumë më mirë. Në Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve, ulëm shumë pushkë dhe ofruam shumë libra, duke u mundësuar fëmijëve të shkojnë në shkollë.
Sot është koha që së bashku t’i ulim “pushkët”. Pra, t’i zbusim fjalët. Janë të shumtë ata që më kanë besuar në momente të rënda—të tilla që, kur i kujtoj, nuk qetësohem për një kohë të gjatë. Këto ditë më është dukur se është koha t’i bashkohem sërish një kauze dhe ideali. Sërish për të kërkuar besimin se, së bashku, mund të bëjmë gjëra shumë të mira. Mund të merremi vesh, të ecim përpara dhe ta bëjmë vendin tonë ashtu siç e ëndërronim në vitet 1990, kur njerëzit shtrinin dorën e pajtimit.
Nuk munda më të qëndroj vetëm si kontribuues përmes platformave të tjera. Pajtimtari duket se mbetet pajtimtar. Polarizimi kërkon ndërhyrje, dhe jam i bindur se këtë di ta bëj mirë. Për ata që thonë: “Ku ishe më herët?”, mund të them se mendoja se nuk kishte nevojë për një pajtimtar në politikë. Jo si tani. Ndërsa për ata që vazhdimisht më pyesin: “Përse, profesor?”, përgjigjja ime është e thjeshtë dhe e gatshme: për pajtim.