Injeksionet me peptide po promovohen gjithnjë e më shumë si zgjidhje për gjithçka – nga ndërtimi i muskujve dhe humbja e peshës, deri te rikuperimi i shpejtë nga dëmtimet.
Influencuesit në rrjetet sociale, podkastet, klinikat e wellness-it dhe shitësit online i paraqesin ato si një mënyrë të lehtë për të përmirësuar shëndetin dhe performancën fizike.
Peptidet janë në thelb fragmente sintetike proteinash të tretura në solucion. Disa prej tyre përdoren prej kohësh në botën e fitnesit, por vitet e fundit popullariteti i tyre është rritur ndjeshëm.
Madje edhe Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., ka mbështetur zgjerimin e përdorimit të peptideve. Në prill 2026, FDA njoftoi se po shqyrton mundësinë që disa prej tyre të prodhohen sërish në farmaci të specializuara, pasi ishin ndaluar në vitin 2023.
Por pyetja kryesore mbetet: a funksionojnë vërtet dhe a janë të sigurta?
Dy nga peptidet më të reklamuara për rikuperimin e dëmtimeve janë BPC-157 dhe TB-500, shpesh të shitura bashkë me emrin “Wolverine stack”. Në internet, përdoruesit ndajnë eksperienca, krahasojnë kombinime dhe i përshkruajnë këto substanca si “rrugë të shpejta” për rikuperim, humbje dhjami apo fitim muskujsh.
Megjithatë, ekspertët e rehabilitimit dhe mjekësisë fizike paralajmërojnë se diferenca mes marketingut dhe shkencës është shumë më e madhe nga sa mendojnë shumica e konsumatorëve.
Peptidet mund të jenë ilaçe reale
Vetë peptidet nuk janë problem. Disa prej tyre janë ilaçe të rëndësishme dhe të provuara shkencërisht, si insulina apo barnat GLP-1 si Ozempic dhe Wegovy.
Dallimi qëndron te fakti nëse një produkt ka kaluar procesin rigoroz të testimeve: prodhim të kontrolluar, prova klinike, testim dozash dhe monitorim sigurie.
BPC-157 dhe TB-500 nuk e kanë kaluar këtë proces. Shpesh shiten online si suplemente ose produkte “për kërkime laboratorike”, pa miratim zyrtar për përdorim te njerëzit.
Kjo do të thotë se një shishe mund të ketë përqendrim, përbërje apo stabilizues të ndryshëm nga një tjetër, madje edhe kur vijnë nga i njëjti prodhues. Nuk ka garanci as për pastërtinë e produkteve, çka rrit rrezikun për infeksione apo efekte të paparashikueshme.
Çfarë dihet për BPC-157?
BPC-157 u zbulua në fillim të viteve 1990 dhe fillimisht u studiua për përfitime në sistemin tretës. Më vonë, studimet te kafshët sugjeruan se mund të ndihmojë në rritjen e enëve të gjakut, uljen e inflamacionit dhe riparimin e indeve.
Kjo bëri që interesi për të të shpërthente. Por te njerëzit, provat shkencore mbeten shumë të dobëta.
Një analizë e vitit 2025 për dëmtimet muskulore dhe ortopedike gjeti vetëm një studim me 16 persona me dhimbje në gju. Studimi nuk kishte grup krahasues dhe bazohej vetëm në vetëvlerësimin e pacientëve, gjë që e bën të pamundur të dihet nëse përmirësimi erdhi nga peptidi apo thjesht nga efekti placebo dhe koha.
Ekspertët thonë se ende nuk dihen qartë as dozat e sigurta, sa qëndron substanca në organizëm apo nëse produkti në shishe është vërtet ai që reklamohet.
TB-500 ka edhe më pak prova
TB-500 lidhet me një peptid natyral të quajtur thymosin beta 4, i cili luan rol në riparimin e indeve dhe formimin e enëve të reja të gjakut.
Studimet te kafshët sugjerojnë se mund të ndihmojë në rikuperimin e muskujve dhe kockave, por studimet te njerëzit janë ende në faza shumë të hershme dhe fokusohen kryesisht te siguria, jo te efektiviteti për dëmtimet sportive.
Një tjetër problem është se proceset biologjike që stimulojnë këto peptide lidhen jo vetëm me shërimin, por edhe me fenomene si rritja jonormale e indeve apo biologjia e kancerit.
Kjo nuk do të thotë se peptidet janë domosdoshmërisht të rrezikshme, por tregon se ato nuk janë “suplemente të pafajshme” pa pasoja të mundshme.
Një analizë e mbi 12 mijë postimeve në Reddit zbuloi se përdoruesit shpesh ankoheshin për efekte anësore si reaksione në vendin e injektimit, diarre dhe mpirje emocionale. Edhe pse këto janë dëshmi jo shkencore, ato mbeten ndër të paktat informacione reale të disponueshme.
Kujdes nga premtimet e mëdha
Ekspertët thonë se mania aktuale për peptidet është problematike sepse këto substanca nuk janë as “mrekulli”, por as mashtrim total. Ato ndodhen në një zonë gri: biologji interesante, rezultate premtuese te kafshët, por pa prova bindëse që funksionojnë për rikuperim te njerëzit.
Prandaj, përpara se dikush të tundohët nga reklamat për “shërim më të shpejtë”, “trup perfekt” apo “rikuperim magjik”, duhet të bëjë disa pyetje të thjeshta:
A është testuar ky produkt te njerëzit me të njëjtin dëmtim?
A është studiuar në të njëjtën dozë që po shitet online?
A dihet saktësisht çfarë ka brenda shishes?
A ia vlen rreziku për një produkt që nuk ka kaluar standardet normale të sigurisë?
Për momentin, përgjigjet për shumicën e këtyre pyetjeve mbeten të paqarta. /GazetaExpress/