Ekuipazhi i misionit Artemis II të NASA-s është përballur me një moment të sikletshëm në Capitol Hill, pasi një konspiracionist i akuzoi astronautët se kishin inskenuar udhëtimin rreth Hënës.
Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe Jeremy Hansen u ndaluan nga një burrë që i filmoi teksa u afrohej dhe u bërtiste: “Ndaloni së gënjyeri! Ndaloni së aktruari! Ju nuk keni qenë kurrë në hapësirë.”
Astronautët qëndruan të qetë dhe nuk iu përgjigjën provokimeve, ndërsa burri vazhdoi t’i akuzonte NASA-n dhe misionin e tyre si pjesë të një mashtrimi publik. Ekuipazhi u largua shpejt nga vendi, ndërsa incidenti u bë viral në rrjetet sociale.
Ngjarja rikujtoi përplasjen e famshme të vitit 2002, kur astronauti i Apollo 11, Buzz Aldrin, goditi konspiracionistin Bart Sibrel pasi ky i fundit e akuzoi për mashtrim lidhur me uljen në Hënë.


Në rrjetet sociale, shumë përdorues vlerësuan qetësinë e astronautëve të Artemis II, ndërsa disa komentuan reagimin e hutuar të Christina Koch gjatë përballjes.
Pretendimet se misioni Artemis II ishte i rremë janë hedhur poshtë lehtësisht nga provat e shumta të publikuara nga NASA, përfshirë transmetimin e drejtpërdrejtë të misionit 10-ditor, fotografitë, vëzhgimet shkencore dhe dëshmitë e mijëra personave që ndoqën nisjen nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida.
Ekspertët thonë se misionet hapësinore shpesh bëhen objekt teorish konspirative, pasi lidhen me institucione të fuqishme, teknologji komplekse dhe histori të mëparshme mosbesimi ndaj NASA-s. /GazetaExpress/

