Një psikiatër i njohur amerikan ka deklaruar se recitimi i një lutjeje biblike 2 mijë vjeçare mund të ndikojë në mënyrën se si funksionon truri i njeriut.
Dr. Daniel Amen, gjatë një interviste në podcastin “Mature Me”, foli për efektet neurologjike të lutjes “Ati Ynë”, duke pretenduar se disa fraza të saj mund të ndihmojnë në qetësimin emocional dhe uljen e stresit.
Sipas tij, vargu “Ati ynë që je në qiell” mund të aktivizojë pjesë të trurit që lidhen me sigurinë emocionale dhe ndjenjën e mbështetjes, duke larguar mendjen nga gjendja e frikës apo ankthit.
Ai shtoi se fraza “Bukën tonë të përditshme na jep sot” e ndihmon trurin të fokusohet te nevojat e momentit dhe jo te frikërat për të ardhmen, gjë që ndikon në qetësimin e sistemit nervor.
Një nga pjesët më të rëndësishme të lutjes, sipas Amen, është ajo që lidhet me faljen: “Falna fajet tona, siç i falim ne fajtorët tanë”. Ai argumenton se falja mund të ndikojë në uljen e stresit emocional dhe në përmirësimin e ekuilibrit psikologjik.
Edhe psikiatrja e krishterë Dr. April Joy ka folur për ndikimin e kësaj lutjeje në tru. Sipas saj, fraza “Ardhtë mbretëria jote” mund të ndihmojë në krijimin e shpresës dhe motivimit, ndërsa “U bëftë vullneti yt” mund të ndihmojë njerëzit të heqin dorë nga nevoja për kontroll të vazhdueshëm, duke reduktuar mendimet negative dhe ankthin.
Ajo shtoi se lutjet për mbrojtje dhe udhëzim mund të ndihmojnë në qetësimin e zonave të trurit që lidhen me frikën dhe stresin, ndërsa përqendrimi shpirtëror mund të ndikojë pozitivisht në humor dhe ndjenjën e paqes së brendshme.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se shumë nga këto pretendime mbeten ende teorike dhe nuk janë vërtetuar plotësisht nga studime të avancuara neurologjike. Studiuesit vazhdojnë të analizojnë se si lutja dhe praktikat shpirtërore mund të ndikojnë në stresin, emocionet dhe aktivitetin e trurit me kalimin e kohës. /GazetaExpress/