Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka bërë të qartë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se në negociatat me Iranin do të mbajë një qëndrim të prerë lidhur me programin bërthamor iranian.
Sipas raportimeve të medias izraelite Channel 12, Trump ka deklaruar se çdo marrëveshje përfundimtare duhet të përfshijë çmontimin e programit bërthamor të Iranit dhe largimin e të gjithë uraniumit të pasuruar nga territori iranian.
Burimet bëjnë me dije se presidenti amerikan ka theksuar se nuk do të firmosë asnjë marrëveshje që nuk përmban këto kushte.
Deklarata vjen në një moment kur negociatat mes SHBA-së dhe Iranit duket se po afrohen drejt një marrëveshjeje të përkohshme për uljen e tensioneve në rajon dhe garantimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.