Kënga që më kujton fëmijërinë
Kur isha pesë ose gjashtë vjeçe, mamaja më bleu kasetën VHS të “The Little Mermaid” dhe e shikoja pa pushim. Isha e fiksuar pas momentit kur Ariel këndon “Part of Your World”. Kishte diçka te dëshira për më shumë, për një jetë ndryshe – edhe si fëmijë e ndjeja këtë.
Kënga e parë që kam blerë
Më kujtohet kur shkova në një dyqan muzikor në Times Square në New York dhe tezja më bleu në kasetë “What a Girl Wants” të Christina Aguilera-s. Ishte shumë emocionuese. Pastaj CD-ja e parë që bleva vetë ishte “Just Dance” e Lady Gaga-s dhe më dukej si një moment i vërtetë pavarësie.
Kënga që di përmendësh pa e kuptuar si
“Ready Or Not” nga Fugees. Më pëlqen të këndoj të gjitha pjesët e Lauryn Hill-it, edhe pse nuk mbaj mend ta kem mësuar ndonjëherë. Thjesht e di.
Kënga që zgjedh në karaoke
“At Last” nga Etta James, sepse është ikonike dhe mund ta interpretosh me gjithë shpirtin. Ose, varësisht humorit, “No Scrubs” nga TLC, sepse sapo fillon, të gjithë këndojnë dhe atmosfera ndizet menjëherë.
Kënga më e mirë për festë
“New Religion”, nga unë. Duhet ta them patjetër! Është krijuar pikërisht për atë energji.
Kënga që më zgjon në mëngjes
Sinqerisht? Është lehja e qenit tim, Bear. Ajo mund të qëndrojë me orë të tëra në studio, vjen edhe në turne me mua dhe edhe kur gjithçka është jashtëzakonisht e zhurmshme, ajo fle pa problem. Por në mëngjes? Asnjë shans.
Kënga që më ndryshoi jetën
Si tekstshkruese, jam pak skeptike ndaj këngëve të bazuara te samplat. Kur “Insomnia” nga Faithless u aprovua për “New Religion”, u habita. Madje dola për brunch me Sister Bliss dhe e pyeta nëse mund të më dërgonte materialet origjinale, ndërsa ajo më tha: “E dashur, ato janë në kaseta.” Ka diçka te mënyra si regjistrohej muzika atëherë që i jep një ngrohtësi që nuk mund ta falsifikosh.
Kënga që nuk mund ta dëgjoj më
“Trampoline” nga Shaed, sepse ishte një nga “këngët tona” me ish-in tim. Edhe pse e dua pafund, nuk mund të kthehem më te ajo ndjesi.
Kënga që fshehurazi më pëlqen
Kur rritesha, nuk mund të dëgjoje këngë si “Livin’ on a Prayer” nga Bon Jovi – ato ishin këngët që dëgjonin prindërit tanë. Por tani mendoj se kjo është marrëzi. Është kënga perfekte për ta dëgjuar me volum në maksimum.
Kënga që më bën të qaj
Këngët të prekin ndryshe, varësisht se ku ndodhesh në jetë. Tani për tani, “Easy on Me” nga Adele më prek shumë. Ka diçka aq të sinqertë dhe të zhveshur emocionalisht sa të hap shpirtin. /The Guardian/