Michael Carrick thotë se e ka shijuar çdo minutë që nga rikthimi te Manchester United, pasi e udhëhoqi skuadrën drejt një vendi në Ligën e Kampionëve.
Ish-mesfushori mori drejtimin e United pas largimit të Ruben Amorim në janar dhe arriti ta ndryshojë rrjedhën e sezonit. Fillimisht i emëruar vetëm deri në fund të edicionit, 44-vjeçari përmirësoi ndjeshëm rezultatet dhe paraqitjet e ekipit.
United siguroi vendin e tretë në Premier League dhe kualifikimin në Ligën e Kampionëve, çka bëri që klubi t’i ofronte Carrickut kontratë të re deri në vitin 2028.

Pavarësisht periudhës intensive në “Old Trafford”, Carrick thotë se nuk ndien nevojë për pushime.
“Fëmijët i kanë provimet tani dhe kjo më pengon të rezervoj diçka. Por, sinqerisht, ndihem mirë. Kur hyn në ritmin e punës, mësohesh me të. E kam dashur çdo minutë të kësaj pune dhe nuk mendoj se kam nevojë për pushim”, deklaroi ai.
Carrick gjithashtu ka paralajmëruar se United nuk do ta marrë lehtë ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Brightonit, edhe pse objektivi kryesor tashmë është arritur.

“Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes dhe për atë që është në lojë. Duam ta mbyllim sezonin fuqishëm për veten tonë. Do t’i qasemi kësaj sfide si çdo ndeshjeje tjetër”, tha trajneri.
Brighton ende lufton për një vend në garat evropiane, ndërsa Carrick kërkon që lojtarët e tij të ruajnë standardin deri në fund.
Pas përfundimit të sezonit, vëmendja e United do të zhvendoset te merkatoja dhe përgatitjet për edicionin 2026/27, ku pritshmëritë do të jenë më të larta pas rikthimit në Ligën e Kampionëve. /GazetaExpress/