Trajneri i Aston Villas, Unai Emery, ka pranuar se po e ka të vështirë të zgjedhë formacionin ideal për ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Manchester Cityt, pas festimeve të mëdha për triumfin në Ligën e Evropës.
Villa fitoi 3-0 ndaj Freiburgut në finalen e zhvilluar në Stamboll, duke siguruar trofeun evropian dhe rikthimin në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, Emery theksoi se skuadra duhet të rikthejë fokusin për sfidën e fundit në “Etihad”, e cila do të jetë edhe ndeshja e fundit e Pep Guardiolës në krye të Cityt.
“Do të mundohem të jem serioz dhe të zgjedh 11 lojtarët më të mirë për ta respektuar garën, por nuk është e lehtë”, deklaroi Emery.

Spanjolli pranoi se pas arritjes së objektivave kryesorë, intensiteti në stërvitje ka rënë disi, ndërsa emocionet e festimeve kanë ndikuar te skuadra.
Pavarësisht kësaj, Emery dëshiron t’i shkaktojë një mbyllje të vështirë rivalit të tij të vjetër, Pep Guardiolës, të cilin e konsideron trajnerin më të mirë në botë.
“Është kënaqësi dhe nder të përballem me Guardiolën. Ai është një gjeni dhe frymëzim për të gjithë trajnerët”, tha Emery.

Ai kujtoi se për vite të tëra nuk kishte arritur ta mposhtte Guardiolën gjatë kohës kur drejtonte Valencian dhe Pep ishte te Barcelona. Fitoren e parë ndaj tij e arriti vetëm me Aston Villan në vitin 2023.
Emery gjithashtu vlerësoi karakterin dhe respektin që Guardiola ka treguar gjithmonë ndaj tij.
“Përveçse trajneri më i mirë, ai është edhe një njeri fantastik dhe shumë modest”, shtoi trajneri i Villas.
Aston Villa ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve si përmes pozitës në Premier League, ashtu edhe përmes triumfit në Ligën e Evropës, duke kurorëzuar një sezon historik për klubin anglez. /GazetaExpress/